Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i kërkuar ta “zhbllokojë” projektin e kryeqytetit për Unazën.
Rama shkruan se projekti mbeti “i bllokuar në nivelin qendror” për më shumë se 4 vjet.
Gjatë fushatës zgjedhore, ju publikisht keni bërë thirrje për zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, duke e pranuar rëndësinë e saj strategjike dhe kombëtare. Sot, pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme”, shkruan ndër tjerash ai.
Ai ka kërkuar që “interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik”.
Letra e Ramës, e postuar në profilin e tij në Facebook:
Letër e Hapur Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës
I nderuar Kryeministër në detyrë,
Unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale.
Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik.
Gjatë fushatës zgjedhore, ju publikisht keni bërë thirrje për zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, duke e pranuar rëndësinë e saj strategjike dhe kombëtare. Sot, pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme.
Dua të theksoj se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme. Këto fonde janë të kushtëzuara me afate të qarta kohore dhe çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e tyre.
Ky projekt është i njohur si pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor, çka e bën atë një prioritet strategjik kombëtar, e jo një projekt të nivelit lokal. Humbja e mbi 82 milionë eurove grant do të ishte një dëm i madh jo vetëm për Prishtinën, por për Republikën e Kosovës në tërësi, duke dëmtuar gjithashtu kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, këtë projekt nacional ta fus në cilindo cep të “trekëndëshit” Kant, Mill, Aristotel të qeverisjes, por ta zhbllokojë! Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme.
të zhbllokojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme.
Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Vazhdimi i bllokimit dëmton interesin publik dhe e penalizon padrejtësisht Kryeqytetin për shkak të moskoordinimit institucional.
Është koha që Unaza e Prishtinës të zhbllokohet.
Është koha që interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik.
Me respekt,
Përparim Rama
Kryetar i Prishtinës



Të tjera
Lirohen 80 të burgosur politikë të tjerë në Venezuelë, numri shkon në 626
Moti për pesë ditë, nesër shi – IHMK bën thirrje të shmangen udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve intensive
Lama: Italia ka pasur dhe vazhdon të ketë vëmendje të shtuar në Ballkanin Perëndimor