Një muaj pas zgjedhjeve, këtë javë pritet përfundimi i numërimeve e rinumërimeve

Një muaj pas zgjedhjeve, këtë javë pritet përfundimi i numërimeve e rinumërimeve

Më 28 janar, bëhen saktësisht një muaj që nga dita kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Që nga atëherë, çdo ditë ka pasur numërime, më pas rinumërime.

Megjithatë, këtë javë pritet të përfundojnë këto procedura.

Kështu kishte bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, tha Elezi.

Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.

“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.

Fillimisht, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë u zhvillua në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe menjëherë pas tyre, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve u numëruan fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta si dhe votat nga votimi jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës.

Pikërisht kur gjithçka dukej se po shkonte mirë dhe KQZ pritej të shpallte rezultatin përfundimtar në një kohë rekord dhe para planifikimeve fillestare, më 13 janar ky institucion mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve, ndërkaq më 19 janar edhe për rinumërimin e 1,643 vendvotimeve tjera, duke çuar në rinumërim të përgjithshëm të të gjitha vendvotimeve.

Krejt kjo pasi u gjetën dallavere në votat e kandidatëve, çka dërgoi në arrestimin e qindra personave, kryesisht në Prizren.

Deri më tash janë rinumëruara mbi 67% e vendvotimeve.