Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së LDK-së në Podujevë, meqë siç thotë ai ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative.
Ai ka shkruar se kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së dhe se heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe largojnë partinë nga qyqarët.
“Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur. Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka shkruar mes tjerash ai.
Postimi i plotë:
Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës
Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Gjërat të thuhen hapur.
Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.
Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës.
Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.
Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
Rezultati është i qartë:
humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.
Në këtë situatë është e domosdoshme:
• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.
• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.
• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.
• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.
Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.
Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.
Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.
Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.
LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.
Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë.



Të tjera
IKShPK me njoftimin e fundit në lidhje me zonat ku uji nuk rekomandohet për pije
Lëmoshë apo reformë sociale: Çfarë përfiton realisht qytetari kosovar?
Krimi e korrupsioni në Komunën e Prishtinës janë të rrënjosura thellë