Zyrtarët e Komunës së Prishtinës të arrestuar për ryshfet ndalohen për 48 orë

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës të arrestuar për ryshfet ndalohen për 48 orë

Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të arrestuar në aksionin e zhvilluar sot, janë ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën hetimore.

“Pas aksionit të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tre personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 421 i KPRK-së. Po ashtu, janë sekuestruar telefona si prova, të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i paraqesë gjykatës kompetente kërkesë me shkrim për caktimin e ndonjërës nga masat ndaj të dyshuarve”, ka deklaruar Shala për Klankosova.tv.