Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka reaguar ashpër pas djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë në Çabrat të Gjakovës, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal, kriminal dhe thellësisht shqetësues, raporton KosovaPost.
Në deklaratën e tij, Myftiu Tërnava shprehu tronditjen e thellë për këtë ngjarje, duke theksuar se një veprim i tillë cenon rëndë vlerat universale humane, si dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.
Ai rikujtoi se populli shqiptar historikisht është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, duke respektuar besimin, kulturën dhe traditat e njëri-tjetrit, veçanërisht në çështje të ndjeshme që lidhen me fenë.
Sipas Myftiut të Kosovës, këto vlera janë vënë në shënjestër kohëve të fundit nga lëvizje që, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Ai theksoi se individë dhe grupe të caktuara, përmes manipulimit të opinionit publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame. Sipas tij, kjo propagandë e rrezikshme është përkrahur madje edhe nga persona që mbajnë pozita akademike.
Myftiu Tërnava e cilësoi djegien e Kuranit në Gjakovë si pasojë direkte të ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat, sipas tij, synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve historikisht armiqësore ndaj shqiptarëve myslimanë.
Në fund, ai u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprime ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve dhe promovuesve të këtyre ideologjive, duke theksuar nevojën për masa konkrete për ruajtjen e kohezionit shoqëror, harmonisë ndërfetare dhe interesit të përgjithshëm qytetar.
Postimi i plotë:
DEKLARATË E MYFTIUT NAIM EF. TËRNAVA ME RASTIN E DJEGIES SË KURANIT TË SHENJTË
Jam thellësisht i tmerruar dhe i tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë, i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur në Çabrat të Gjakovës.
Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë.
Populli shqiptar, ndër shekuj, është njohur dhe është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit, kulturës dhe traditës së tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me fenë dhe besimin.
Fatkeqësisht, këto vlera dhe parime janë vënë në shënjestër kohëve të fundit nga lëvizje të errëta që, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Individë të caktuar dhe grupe të organizuara, duke manipuluar, shpifur dhe instrumentalizuar opinionin publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame.
Kjo propagandë e rrezikshme, në raste edhe tronditëse, është përkrahur madje nga persona, që mbahen dhe paguhen si profesorë universitarë, duke marrë shembuj dhe modele të errëta të gjenocidit grek dhe serb ndaj shqiptarëve myslimanë.
Djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë e shohim si një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.
Me këtë rast, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të “fjalës së lirë”, “të drejtës së besimit” dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre.
Ftoj institucionet shtetërore, edhe njëherë, që të marrin masa adekuate dhe konkrete për të ruajtur kohezionin shoqëror, vlerat autentike të popullit tonë, harmoninë ndërfetare dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe të trojeve tona.
Prishtinë, 27 janar 2026
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava



Të tjera
Bugaqku: Vjosa Osmani ka qenë totalisht në shërbim të Vetëvendosjes
E rëndë në Itali, rrëzohet një avion, një i vdekur dhe një i plagosur
A do të jetë Abdixhiku sërish kryetar i LDK-së? Kjo është përgjigjja e Canajt