Që nga vërshimet e fundit në Kosovë, uji që furnizon qytetarët nga Liqeni i Badocit, vazhdon të mbetet i papijshëm.
Reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha të ujërave kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit, duke rritur nivelin e ndotjes dhe të turbullirës.
Uji i Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i mbushur pas reshjeve të shumta të shiut, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e tij.
Si pasojë, uji që furnizon dhjetëra lagje të Prishtinës, vazhdon të mbetet jo i sigurt për pije, duke detyruar qytetarët të gjejnë alternativa për furnizim me ujë të pijshëm.
“Prej njoftimit të parë që ka dalë, nuk e përdorim për pije”, tha një qytetar.
“Nuk ke çfarë të bësh. Po duhet me i lanë të gjitha dhe me ble”, thotë tjetri qytetar.
Megjithatë, jo të gjithë thonë se kanë mundësi ta sigurojnë ujin.
“Po e përdorim edhe pse po thonë mos me e përdor, por nuk po kemi çka”, theksoi qytetari.
Qytetarëve të cilët furnizohen nga ky liqen, u këshillohet të tregojnë kujdes të shtuar dhe ta përdorin ujë të ambalazhuar për konsum, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes telefonin i kanë konfirmuar RTK-së se uji që vjen nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për qytetarët, deri në një njoftim të radhës.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka treguar paraprakisht edhe zona ku uji nuk rekomandohet të pihet.



Të tjera
Specialja ia vazhdon paraburgimin Veselit, përkundër që gjykimi ka përfunduar
Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft
Shpëtohet familja kosovare e cila ishte bllokuar nga bora në kufirin Kosovë-Mali i Zi