Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit po i afrohet përfundimit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e vendvotimeve, respektivisht 2 061 nga gjithsej 2 557.
Rinumërimi i plotë u vendos pas evidentimit të manipulimeve gjatë rinumërimit të pjesshëm, ku u konstatua shtim apo humbje e qindra votave për kandidatë të ndryshëm brenda partive politike. Manipulimet më të mëdha janë evidentuar te kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Për këto raste, Prokuroria ka nisur hetime, ndërsa në Prizren janë paraburgosur 23 persona.
Pavarësisht rinumërimit, lista e deputetëve të partive shqiptare ka mbetur e pandryshuar. Ndryshimi i vetëm është te komunitetet joshumicë, ku deputeti Fikrim Damka ka humbur mandatin, ndërsa ulësen e ka fituar Ergul Mazrek.
Rinumërimi po vazhdon edhe në 11 komuna dhe pritet të përfundojë të dielën. Më pas do të shqyrtohen ankesat eventuale, përpara certifikimit të rezultateve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi paralajmëroi se afatet procedurale të ankesave që mund të shkojnë në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mund të vonojnë krijimin e institucioneve të reja. E një vonesë e tillë mund të rrezikojë humbjen e rreth 90 milionë eurove nga Bashkimi Evropian.



Të tjera
Specialja ia vazhdon paraburgimin Veselit, përkundër që gjykimi ka përfunduar
Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft
Shpëtohet familja kosovare e cila ishte bllokuar nga bora në kufirin Kosovë-Mali i Zi