Britania e Madhe mund të përdorë naftën e sekuestruar nga cisternat e flotës hije ruse për të financuar përpjekjet e luftës së Ukrainës, ka sugjeruar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.
”Po shqyrtohen opsione të tjera ushtarake për të goditur anijet që shmangin sanksionet dhe që ushqejnë makinerinë ruse të luftës”, tha Healey.
Ai ngriti mundësinë që të ardhurat nga nafta e marrë nga anijet e sekuestruara të devijohen drejt Kievit.
Deklaratat vijnë pasi Britania e Madhe ka ndihmuar së fundmi forcat amerikane dhe ushtrinë franceze në sekuestrimin e cisternave ruse, të cilat Moska i ka përdorur për të anashkaluar sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës që nga pushtimi i plotë i Ukrainës.
“A duhet të bëjmë më shumë kundër transportit hije? Po, duhet, dhe tani kam identifikuar opsione të tjera ushtarake që mund të përdorim për të goditur këtë transport hije”, tha Healey duke folur para Komitetit të Mbrojtjes të Dhomës së Komuneve.
“Po i diskutoj këto me kolegët e kabinetit”, theksoi ai.
Britania e Madhe do të presë së shpejti një takim të vendeve të JEF (Forca e Përbashkët Ekspedicionare), së bashku me ekspertë ligjorë ushtarakë, për të shqyrtuar bazën ligjore mbi të cilën mund të veprojmë kundër transportit hije dhe anijeve të sanksionuara si edhe opsionet ushtarake që mund të përdorin.
“Kjo është pjesë e rritjes aktive të veprimeve kundër transportit hije që keni parë të ndërmarrim me aleatët në javët e fundit. Dhe është pjesë e sigurimit që Putin të mos jetë në gjendje të financojë kaq lehtë makinerinë e tij të luftës në Ukrainë përmes shitjes së naftës së sanksionuar”, shtoi ai.
Healey theksoi se gjatë vitit të fundit janë sanksionuar 250 anije, ndërsa të ardhurat ruse nga nafta janë ulur me një të katërtën në këtë periudhë.



Të tjera
Zakonet e një çifti të lumtur
Amazon njofton shkurtimin e 16 mijë vendeve të punës përmes emailit të dërguar gabimisht
Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për fajde