Mitrovica drejt ndërtimit të spitalit të ri modern

Mitrovica drejt ndërtimit të spitalit të ri modern

Kryetari i Komunës së Mitrovicës,  Faton Peci, i shoqëruar nga nënkryetari  Enis Osmani, kanë pritur në takim ministrin e Shëndetësisë,  Arben Vitia, si dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës,  Gëzim Berisha.

Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e sektorit të shëndetësisë në përgjithësi, me fokus të veçantë në projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon të realizojë në Komunën e Mitrovicës. Në këtë kuadër, u trajtua edhe ecuria dhe dinamika e projektit madhor për ndërtimin e spitalit të ri në Mitrovicë.

Kryetari i Komunës,  Faton Peci, bëri të ditur se spitali i ri pritet të ndërtohet me hapësira moderne dhe të pajiset me të gjitha shërbimet e nevojshme shëndetësore. Sipas tij, implementimi i projektit do të nisë menjëherë pas formimit të Qeverisë së re.

“Po ashtu u shqyrtua edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të QKMF-së”, thuhet në njoftim.

Në fund, kryetari Peci theksoi se Komuna e Mitrovicës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që i takojnë, me qëllim që ky projekt madhor të realizohet sa më shpejt dhe në dobi të qytetarëve.