Para datës 28 dhjetor, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, në Kosovë pati një agresivitet të shtuar e të pandërprerë kundër kryeministrit Kurti, por shpeshherë edhe kundër presidentes Osmani. Mediat afër opozitës dhe vetë disa prej krerëve të saj besuan se me agresivitet mund ta largonin Vetëvendosjen dhe koalicionin e saj me GUXO nga pushteti. Propagandistët antiqeveri e antipresidencë kishin kalkuluar se me fyerje, sharje dhe akuza e shpifje do ta dobësonin kundërshtarin në qeverisje.
Në fakt, kjo funksionoi disi në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, kur asnjëra palë, pra as mazhoranca, as opozita, nuk mund të plotësonte numrin e nevojshëm të deputetëve për të krijuar qeverinë dhe institucionet e tjera pa votat e Listës Srpska. Kurti e kompleksoi opozitën me qëndrimin mohues dhe kundërshtues ndaj kësaj partie të minoritetit serb, e cila ishte dhe mbetet përgjegjëse, së paku politikisht, për aktin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, si edhe për akte të tjera dhune në veri të Kosovës.
Ndaj ndodhën zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Opozita shpresoi se do ta dobësonte edhe më tej partinë e zotit Kurti dhe atë Guxo. Përdori kundër saj lloj-lloj shpifjesh, pa fakte, pa prova, pa dëshmi, pa kurrfarë indicie madje — njësoj siç Edi Rama i lëshon akuzat e tij kundër atyre që nuk i binden. Fatkeqësisht, jo vetëm PDK dhe AAK, por edhe LDK dhe Abdixhiku u frymëzuan nga modeli Rama për të linçuar pa doganë kundërshtarin dhe rivalin e tyre.
Por çfarë ndodhi? Publiku, elektorati, zgjedhësit kuptuan se kishin të bënin me një intrigë kolektive konspirative e propaganduese, me qëllim denigrimin dhe jo reflektimin për qeverisjen. Ata vërejtën se opozita dhe shumica e mediave në duart e saj po realizonin një lloj komploti politik, komplot i cili nuk dëmtonte aq shumë partitë në qeverisje, sa vetë Kosovën.
Medieve nuk ua kërkojmë këtë, sepse nuk ndikohen vetëm nga opozita. Ato ndikohen sidomos nga Tirana zyrtare, e cila realizon manipulimin e mediave në Kosovë sipas skemave dhe nevojave të Beogradit. Shihni për këtë vetëm faktin se sa pronarë mediash të Kosovës kanë ikur prej atje dhe kanë ardhur në Shqipëri, si kamikazë të propagandës së Edi Ramës! Pikërisht këta janë snajperistët më të rrezikshëm.
Të gjitha këto që përmenda nuk i shpëtuan syrit të votuesit të Kosovës. Ata e duan Shqipërinë, por i urrejnë intrigat e Tiranës zyrtare, sepse janë të ngjashme me ato të Beogradit! Ndaj folën me votë, duke i dhënë fund krizës artificiale që u krijua pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar.
Të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e 28 dhjetorit 2025 dhe tani mbetet konstituimi i parlamentit dhe krijimi i institucioneve. Vetëm zgjedhja e presidentit/es kërkon konsensus më të gjerë sesa mazhoranca. Ndërkohë, as për këtë çështje Albin Kurti nuk duket i shqetësuar. Zgjedhjen e kreut të shtetit ai e ka përcaktuar si hapi i tretë ose i katërt në procesin e krijimit të institucioneve të vendit.



Të tjera
E prezantuan si Anita Muçaj Haradinaj – Anita reagon ndaj gabimit publik
Atlético Madrid në krizë? Simeone njofton se do të largohet pas sezonit
Rikthimi i mundshëm i Messit: Legjenda argjentinase pranë kthimit në klubin e origjinës