Narrativa ‘Epstein’ dhe Kosova: Analizë mbi interesat dhe përfituesit e mundshëm

Dosja Epstein që për pak ditë mori vëmendjen e gjithë botës, duke përfshirë njerëz të rëndësishëm të politikës nga gjithë globi, ka prekur edhe Kosovën.

Në disa email-e që janë përmendur në kuadër të kësaj dosje, janë përfshirë edhe emrat e ish Presidentëve të Kosovës, Behgjet Pacollit e Atifete Jahjagës.

“Përshëndetje Jeffrey, princesha dëshiron që t’i të shohësh këtë video”, thuhet në email-in e dërguar nga “Daniel”, ku është dhe një link nga Youtube, por që i njëjti nuk është i klikueshëm më. “Mund t’ia dërgosh këtë Jeffreyt”, thotë konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë, e asaj kohe, Mom Luang Rajadasari Jayankura”, thuhet në njërën nga emailat e prezantuar.

Mirë se vini në Paris, Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës. Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë”, thuhej në email ku bëhet fjalë për Presidente Jahjaga.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur eksperti austriak për Ballkanin, Gunther Fehlinger, i cili për ‘Bota sot’, ka thënë se viti 2026 shënon një kthesë historike për Kosovën, ndërsa për Serbinë një izolim.

“Kosova nuk po kërkon më leje për të ekzistuar – ajo po vepron si kontribuuese e përgjegjshme për paqen ndërkombëtare”

Viti 2026 do të mbetet në histori si një moment kyç për Republikën e Kosovës, vlerëson eksperti i sigurisë dhe analisti politik Gunther Fehlinger, duke e cilësuar këtë vit si një “përparim strategjik” në aspektin e paqes, sovranitetit dhe afirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Image

Gunther Fehlinger

Sipas Fehlingerit, pavarësisht pengesave të vazhdueshme në Kombet e Bashkuara dhe bllokadës së imponuar nga Rusia dhe aleatët e saj, Kosova ka arritur të avancojë pozitën e saj ndërkombëtare, veçanërisht përmes anëtarësimit në Bordin e Paqes, duke anashkaluar në mënyrë efektive sistemin e bllokuar të OKB-së.

Ai thekson se Kosova ka zgjedhur një rrugë më të mençur sesa pritja e pafund për konsensus në një sistem ku vetoja përdoret për të mohuar realitetin.

“Në vend që të presë që Moska apo Pekini të ndryshojnë mendje, Kosova dhe partnerët e saj ndërtuan legjitimitet paralel, thelluan integrimin me aleancat demokratike dhe e ankoruan vendin fort në arkitekturën perëndimore të paqes dhe sigurisë”, thotë ai.

Sipas Fehlingerit, anëtarësimi në Bordin e Paqes dërgon një mesazh të qartë në arenën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Fehlinger vlerëson se rrjeti politik që për vite me radhë ka bllokuar rrugën euroatlantike të Kosovës në Evropë po shpërbëhet.

Ai përmend si pengesë të vazhdueshme ish-përfaqësuesin e lartë të BE-së, Miroslav Lajçak, duke theksuar se qasja e tij ka favorizuar “stabilitetin përmes Serbisë” në dëm të drejtësisë dhe realitetit në terren.

“Raportimet serioze mediatike dhe materialet e rrjedhura së fundmi kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi kredibilitetin politik dhe rrjetet e ndikimit të disa figurave të larta evropiane, duke ua dobësuar autoritetin moral atyre që për vite me radhë e kanë bllokuar Kosovën”, shprehet Fehlinger.

Ndërsa Kosova ecën përpara, Fehlinger thotë se Serbia po zgjedh sërish anën e gabuar të historisë, duke u rreshtuar politikisht me Iranin – një regjim gjithnjë e më i izoluar nga bota demokratike.

“Në një kohë kur Evropa kërkon qartësi strategjike, Serbia po dërgon sinjal të kundërt: sfidë në vend të përafrimit, bllokim në vend të reformës”, thekson ai.

Sipas Fehlingerit, pasojat janë të pashmangshme.

“Serbia sot është më e izoluar në Evropë se në çdo moment që nga fillimi i viteve 2000. Retorika nacionaliste nuk mund ta fshehë këtë dështim strategjik”, thotë ai.

Fehlinger vlerëson se Kosova sot nuk është më “problem për t’u menaxhuar”, por një faktor stabiliteti në rajon.

“Kosova është partnere e besueshme euroatlantike, demokraci e rreshtuar me vlerat e BE-së dhe NATO-s dhe shtet që kontribuon në stabilitet rajonal, jo në kriza”, deklaron ai.

Ai thekson se suksesi i Kosovës nuk varet nga pëlqimi i Serbisë, vetoja ruse apo politikat e vjetra të qetësimit në BE.

“Ajo që i duhet Kosovës – dhe tani e ka – është qartësia strategjike, partneriteti perëndimor dhe guximi për të ecur përpara”, shton Fehlinger.

Në përfundim, Fehlinger thotë se mesazhi i vitit 2026 është i qartë.

“Kosova po fiton përmes integrimit dhe paqes. Serbia po humb përmes izolimit dhe aleancave të gabuara. Evropa nuk mund të qëndrojë më neutrale mes demokracisë dhe bllokimit”, përfundon ai.

Sipas tij, suksesi i Kosovës këtë vit nuk është fundi i rrugëtimit, por një pikë pa kthim.

“E ardhmja u përket atyre që qëndrojnë me paqen, demokracinë dhe Perëndimin. Kosova ka zgjedhur. Serbia ende heziton. Historia do t’i gjykojë të dyja.”

Racaj: Rasti Epstein si shembull tipik të asaj që njihet si “krim i mbrojtur nga elitat”

Çështja Jeffrey Epstein përfaqëson një nga skandalet më të rënda dhe më domethënëse të krimit global në dekadat e fundit, vlerëson profesori universitar dhe eksperti i sigurisë, Prof. Dr. Muhamet Racaj.

Image

Muhamet Racaj

Foto galeri

Sipas tij, rëndësia e këtij rasti nuk qëndron vetëm te natyra brutale e veprave penale – shfrytëzimi seksual, trafikimi njerëzor dhe abuzimi sistematik i të miturve – por sidomos te rrjeti i ndërlikuar i lidhjeve financiare, politike dhe institucionale që e mbështetën këtë aktivitet kriminal për vite me radhë.

“Epstein nuk ishte thjesht një abuzues seksual serial. Ai ishte një nyje operative brenda një arkitekture të errët të krimit transnacional, ku ndërthuren krimi i organizuar, financat e paligjshme, shantazhi politik dhe komprometimi i elitave ndërkombëtare”, deklaron Racaj.

Profesori Racaj thekson se rasti Epstein dëshmon se krimi global ka evoluar dhe nuk vepron më përmes strukturave klasike kriminale, por përmes rrjeteve elitare të mbrojtura nga ndikimi politik, kapitali financiar dhe dobësitë serioze të sistemeve të drejtësisë.

“Ky rast tregon qartë se krimi modern global funksionon aty ku bashkohen interesat e errëta, korrupsioni institucional dhe mungesa e transparencës”, thekson ai.

Sipas Racajt, në kornizat e krimit global, rasti Epstein realizohej përmes tre mekanizmave kryesorë.

“Së pari, përmes rekrutimit dhe shfrytëzimit sistematik të të miturve, që përbën krim të rëndë ndërkombëtar dhe shkelje flagrante të sigurisë njerëzore. Së dyti, përmes ndërtimit të rrjeteve të ndikimit dhe shantazhit, ku materialet komprometuese përdoren si instrument presioni ndaj figurave me pushtet politik, ekonomik dhe mediatik. Dhe së treti, përmes mbrojtjes institucionale dhe heshtjes së organizuar”, shpjegon ai.

Në studimet bashkëkohore të sigurisë, Racaj e cilëson rastin Epstein si shembull tipik të asaj që njihet si “krim i mbrojtur nga elitat”.

“Bëhet fjalë për një formë të sofistikuar të kriminalitetit transnacional që lulëzon pikërisht aty ku shtetet dështojnë të veprojnë ndaj aktorëve të fuqishëm”, thotë Racaj.

Ai shton se mosndëshkimi i plotë dhe mbyllja e shumë linjave hetimore ngritin dyshime serioze mbi kapacitetin real të shteteve për të luftuar krimin global, kur ai përfshin individë me ndikim të madh politik dhe ekonomik.

Duke folur për përfshirjen e Kosovës në narrativa të lidhura me çështjen Epstein, Racaj ngre një pyetje thelbësore sigurie dhe gjeopolitike.

“Pyetja nuk është nëse Kosova ka lidhje me këtë rast – sepse nuk ka – por kush përfiton nga përfshirja e saj në këto narrativa të errëta globale”, thekson ai.

Sipas Racajt, përfituesit janë aktorë politikë dhe propagandistikë që synojnë të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ta lidhin artificialisht me rrjete kriminale globale dhe të relativizojnë legjitimitetin e saj shtetëror.

“Këto nuk janë produkte të gazetarisë hulumtuese serioze, por instrumente të luftës hibride, ku dezinformimi dhe insinuatat përdoren për të minuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës”, deklaron ai.

Racaj vlerëson se përpjekje të tilla ushqehen nga qarqe që nuk e kanë pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe që vazhdojnë të investojnë në destabilizim politik, diplomatik dhe medial.

“Çdo tentativë për ta lidhur Kosovën me çështje si ajo e Epstein duhet parë me rezervë profesionale dhe vigjilencë institucionale. Kosova nuk ka as kapacitet, as interes politik dhe as histori që ta lidhë atë me struktura të tilla kriminale globale”, thekson ai.

Në përfundim, profesori Racaj thotë se çështja Epstein duhet trajtuar si një alarm ndërkombëtar për dështimin e kontrollit ndaj elitave të fuqishme, por edhe si dëshmi se lufta moderne zhvillohet edhe përmes narrativave.

“Në këtë realitet, mbrojtja më e fortë e Kosovës mbetet e vërteta, profesionalizmi institucional dhe komunikimi strategjik i përgjegjshëm, si garanci për ruajtjen e besimit ndërkombëtar dhe sigurisë shtetërore”, përfundon Racaj.