Dokumente të reja të publikuara së fundi kanë zbuluar shkëmbime mesazhesh mes ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe ish-kryenegociatorit për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, dhe financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, duke nxitur reagime të forta politike në Sllovaki.
Mesazhet, që datojnë nga tetori i vitit 2018, kur Lajçak ishte ende në detyrë, përmbajnë biseda me tone të lehta dhe komente për gratë, si dhe referenca për një takim të ardhshëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Lidhut me këtë zhvillim në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Dedë Preqi ka reaguar duke thënë se “fytyra e vërtetë e Lajçakut u zbulua pak vonë”, por sipas tij, njëanshmëria e tij ishte e dukshme që në fillim të procesit negociator.
Preqi thekson se Lajçak, i cili ishte ngarkuar nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, ka vepruar në favor të Serbisë dhe jo në funksion të drejtësisë për Kosovën.
Është me rëndësi të theksohet roli që ia besoi BE-ja në ndërmjetësimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, por që në fillim të procesit emisari Lajçak u tregua i njëanshëm në anën e Serbisë, gjë që koha e zbuloi edhe më thellë dhe e shpie në një personalitet të dyshimtë dhe të pafytyrë.
Dhe tani, në rolin që kishte kohët e fundit si këshilltar i kryeministrit të Sllovakisë, për shkak se u përmend emri i tij në skandalin e madh ndërkombëtar që lidhet me Jeffrey Epstein, dha dorëheqje, sepse pas humbjes së këtij besimi nuk kishte rrugë tjetër…”, ka thënë Preqi për “Bota sot”.
“Jo vetëm Lajçak, por edhe disa të tjerë, të cilët i angazhoi BE-ja në çështjen e Kosovës, gjegjësisht në rolin e ndërmjetësimit të negociatave Kosovë–Serbi, si Mogherini, Borrell, Lajçaku, u treguan të dyshimtë me angazhimet e tyre në favor të agresorit serb, ndërsa të drejtat e viktimës, siç ishte Kosova, mbetën të zvarritura edhe më tutje për shkak të kësaj papërgjegjësie”, është shprehur ai.
“Kosova dhe qeveria e saj, që në fillim të negociatave me Serbinë, e kanë njohur rolin e Lajçakut dhe shpeshherë ai ka qenë në shënjestër të kritikave të kryeministrit Albin Kurti, sepse angazhimet e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë ishin të lidhura dhe të gatuara përmes planeve dhe projekteve të Vuçiqit.
Sikur tani, që nuk ia vlen më të diskutojmë për personalitetin në fjalë, por është domethënëse mbresa që na lë angazhimi dhe qëndrimi i këtyre njerëzve që i angazhon BE-ja në proceset dhe çështjet e Kosovës, për të pasur ky vend diçka të përllogaritur dhe besim tek njerëzit e tillë,
“Shpesh njeriu i vendit tonë po bie në lajthitje, herë duke e kritikuar njërin e herë duke e lavdëruar tjetrin, por në negociatat dhe marrëveshjen Kosovë–Serbi, ndikimin dhe rolin kryesor duhet ta luajë vetë BE-ja dhe pastaj SHBA-të, që mund t’ia japin vulën e fundit”, ka nënvizuar Preqi.
“Përndryshe, BE-ja me një ecuri të tillë, duke angazhuar njerëz të dyshimtë dhe jo të sinqertë, sikur në këto rrethana kurrë nuk do t’i përafrojë dhe përmirësojë marrëdhëniet mes këtyre dy popujve dhe të tjerëve, por në të kundërtën, duke u dhënë përparësi atyre që botën e tyre e shohin mbi të tjerët, duke u rritur pushteti i tyre përmes kanosjeve dhe luftërave të padrejta, siç bëri Serbia ndaj Kosovës.
Dhe pikërisht duke u nisur nga këto rrethana, duhet të mendohet së pari për vlerat demokratike dhe të perceptohet kriza e thellë që i ka kapluar këto vlera për shkak të humbjes së identitetit njerëzor, mirëkuptimit dhe drejtësisë, që gjejnë hapësirë te një masë njerëzore, ku shpaloset mundësia e frikshme e jetës për një botë të lirë dhe pa brenga”, ka përfunduar Preqi.



Të tjera
Konflikti Benita–Klodi: Reagimi i ashpër për raportin me Elijonën
“Miqësia ka humbur” – Labinot Rexha i shpall ‘luftë’ Ludo Lee
Akuzë e fortë nga Ludo: Klodi po manipulon një vajzë të re