“Kriza që i shkon për shtat Vuçiqit!” – Geci me reagim të ashpër, akuzon opozitën për lojë të rrezikshme

Halil Geci ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke e vlerësuar bllokadën institucionale dhe shtyrjen drejt zgjedhjeve të parakohshme si një strategji të rrezikshme që po e mban Kosovën në krizë të vazhdueshme.

Krahas kësaj, Geci akuzon opozitën dhe Listën Serbe se po i përdorin zgjedhjet si mjet presioni politik, në dëm të stabilitetit shtetëror dhe interesit qytetar, duke paralajmëruar se krizat e brendshme po i shërbejnë drejtpërdrejt agjendës së Beogradit, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Zgjedhjet si armë bllokade: Opozita dhe Lista Serbe në shërbim të krizës

Sa herë që Kosova afrohet drejt konsolidimit institucional, një pjesë e opozitës zgjedh rrugën e bllokadës. Mosprania në Kuvend, refuzimi për të ushtruar përgjegjësi kushtetuese dhe shtyrja e qëllimshme drejt zgjedhjeve të parakohshme nuk janë akte demokracie, por mjete presioni politik që prodhojnë krizë artificiale. Pyetja thelbësore është e pashmangshme: kujt i konvenon kjo krizë?

Nëse vazhdon skenari i bojkotit të Kuvendit dhe pengohet zgjedhja e presidentes, Kosova futet sërish në ciklin e pasigurisë institucionale. Zgjedhjet e parakohshme, në këtë kontekst, nuk janë zgjidhje demokratike, por produkt i një strategjie bllokuese që synon shmangien e përgjegjësisë.

Historikisht, Beogradi ka përfituar drejtpërdrejt nga çdo krizë politike në Kosovë. Një shtet që nuk arrin t’i zgjedhë institucionet e veta paraqitet lehtësisht në arenën ndërkombëtare si “i paqëndrueshëm” dhe “i papjekur”. Kjo narrativë i shërben Serbisë në çdo tryezë diplomatike. Prandaj lind pyetja e pashmangshme: kush po ia luan lojën Vuçiçit?

Për ata që duan ta kuptojnë realitetin politik, përgjigjja nuk është e vështirë. Vuçiçi sot kërkon zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, të nënshkruara nga PDK dhe LDK, të ratifikuara në Kuvend, si dhe marrëveshjet për manastiret me status të veçantë dhe elemente ekstraterritorialiteti. Çdo krizë e brendshme në Kosovë e forcon këtë agjendë.

Kriza nuk prodhohet vetëm nga jashtë. Kriza më e rrezikshme është ajo që lind brenda vendit. Brenda Kosovës, aktorë politikë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe që e kanë sjellë shtetin në buzë të falimentimit vazhdojnë të këmbëngulin se kanë vepruar drejt, edhe pse janë ndëshkuar qartë nga vota e popullit.

Pavarësisht humbjes elektorale, ata kanë vepruar në unitet me Listën Serbe dhe, për më shumë se një vit, kanë kontribuar në mbajtjen peng të institucioneve të Kosovës. Ky bllokim nuk është episod i së kaluarës ,ai vazhdon edhe sot, duke e thelluar krizën politike dhe duke e mbajtur vendin larg stabilitetit dhe funksionimit normal demokratik.

As zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku koalicioni fitues mori 51.10% të votave të të dalurve në zgjedhje, përkatësisht rreth 60% të votave të qytetarëve shqiptarë, nuk po pranohen nga humbësit. Refuzimi për ta pranuar verdiktin e popullit nuk është alternativë politike ,është thellim i krizës.

Të paraqesësh bllokadën si akt patriotik, ndërkohë që paralizon shtetin, është hipokrizi politike. Shteti nuk forcohet duke e djegur shtëpinë për të ndërruar mobiliet.

Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të imponuara nga bllokadat, por për pjekuri politike. Mbrojtja e shtetit nuk bëhet me ultimatume, por me institucione funksionale. Kushdo që i ikën përgjegjësisë kushtetuese dhe e shtyn vendin drejt krizës, nuk po e mbron Dardaninë ,po e dëmton atë. Dhe historia, herët a vonë, do t’i dallojë qartë ata që ndërtuan shtetin nga ata që e përdorën për pazare politike.