LIVE / Kaos pranë Kryeministrisë: 16 policë të plagosur nga koktejl molotov, dhjetëra të përfshirë në përplasje

Bilanci i protestës: 16 efektivë policie të dëmtuar, 13 persona të ndaluar

Autoritetet kanë bërë bilancin paraprak të protestës së sotme të Partisë Demokratike në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione, dhunë dhe përplasje me forcat e rendit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë incidenteve të shënuara para Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, janë dëmtuar 16 punonjës të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë ka mbetur i dëmtuar edhe deputeti Bledion Nallbati, i cili ndodhet në spital.

Po ashtu, policia ka ndaluar 13 persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktet e dhunës, hedhjen e molotovëve dhe sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore. Ndalimet janë kryer gjatë protestës dhe pas përfundimit të saj, përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në terren dhe operacioneve të mëvonshme.

Autoritetet kanë bërë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndërsa pritet që ndaj të ndaluarve të ngrihen akuzat përkatëse. Policia ka theksuar se do të vijojë ndjekjen penale të çdo rasti dhune, duke garantuar njëkohësisht rendin dhe sigurinë publike.

Mori plagë të rënda, momenti i dhunimit të deputetit Bledion Nallbati nga disa policë

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, ka pësuar plagë të rënda këtë të martë gjatë protestës, për shkak të dhunës së ushtruar nga policia dhe përdorimit të gazit lotsjellës.

Sipas raportimeve, Nallbati është goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke shkaktuar shqetësime serioze për gjendjen e tij shëndetësore. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit Universitar “Nënë Tereza” (QSUT), ku po merr trajtim mjekësor.

Pamjet e transmetuara nga media tregojnë momentin kur deputeti nxirret nga selia dhe futet në një makinë tip ‘Porsche’, për t’u dërguar drejt repartit të traumës. Në video shihet gjithashtu se Nallbati është goditur edhe me shkopinj druri gjatë përplasjes me forcat e rendit.

Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe reagimet e tyre për këtë incident mbeten të pranishme, ndërsa qytetarë dhe politikanë kanë shprehur shqetësimin për dhunën gjatë protestave të ditëve të fundit.

Tensione të larta para Parlamentit, policia përgjigjet me gaz lotsjellës

Tensionet janë përshkallëzuar para ambienteve të Parlamentit.

Pasi protestuesit kanë hedhur bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt policisë, forcat e rendit janë përgjigjur me gaz lotsjellës.

Situata mbetet e tensionuar, teksa policia ka përdorur edhe dy autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.

Pas hedhjes së molotovëve te parlamenti, dy policë përfundojnë te Trauma

Protestuesit, pas zhvendosjes nga Kryeministria, kanë mbërritur tek Parlamenti, ku situata ka shpërthyer në tensione.

Disa prej tyre kanë hedhur molotov dhe flakadanë, duke shkaktuar zjarr dhe përplasje me efektivët e policisë. Një makinë ka marrë flakë gjatë incidenteve.

Si pasojë e përplasjes, dy punonjës të policisë janë dërguar në spital te Trauma ku raportohet për lëndime.

Pjesa më e madhe e protestuesve është përqendruar pranë Parlamentit, ndërsa disa protestues kanë qëndruar ende pranë Kryeministrisë. Sipas raportimeve, disa deputetë të Partisë Demokratike i janë bashkuar turmës.

“Revoltë dhe përballje”- A do të futen protestuesit në Parlament? Ja si përgjigjet Flamur Noka

Flamur Noka tha se protesta e opozitës do të vazhdojë, madje theksoi se do të përshkallëzohet nëse nuk gjendet një zgjidhje politike.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u shpreh se Kryeministria dhe Parlamenti janë dy institucione nga ku, sipas tij, buron e keqja e çdo shqiptari.

“Ne jemi në protestë, protesta vazhdon. Qëllimi i protestës është i ditur. Duhet zgjidhje politike. Shqipëria duhet që të mos rrëshqasë në destabilitet. Rama duke mbrojtur korrupsionin po rrezikon të ardhmen evropiane. Protesta do të vazhdoje edhe më e fortë se kurrë deri në gjetjen e zgjidhjes politike. Ne nuk ndalemi, revolta do të vijë do të jetë duke shtuar. Ne kemi dy godina, narkokryeministria dhe narkoparlamenti që është marrë peng. Këto dy institucione janë të dyja nga ku buron e keqja e çdo shqiptari”, deklaroi Noka për mediat.

I pyetur nëse protestuesit do të futen në Parlament, Noka tha: “Parlamenti është i shqiptarëve, jo i kusarëve. Shqiptarët këtë duan që parlamenti ti kthehet shqiptarëve dhe jo në parlamentin e kusarëve”.

Kujtojmë që protesta e opozitës e nisur para kryeministrisë, ku u hodhën edhe bomba molotov u zhvendos para Parlamentit.

Nënkryetari i PD-së tregon skenarët për rrëzimin e Edi Ramës

Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi tha se në ditët në vazhdim do të ketë revolta akoma më të forta.

Duke folur në protestën para Kryeministrisë, Boçi vuri në dukje se do të ndikojnë faktorë të tjerë si rakordimi me reagimin ndërkombëtar dhe dalja e fakteve që kanë të bëjnë me korrupsionin e Ramës.

“Në përgjithësi sundon kjo pyetje në formë sfide. Protesta është një proces largues, s’është një buton që unë e kam në dorë, qytetarët e kanë në dorë, sepse Rama do ishte larguar. Sikur mos jenë protesta çfarë duhet të bëjë Rama?!

Qytetarët kanë zgjedhur t’i japin atij mesazhin, që do shumëfishohet në ditët në vazhdim, dhe rakordimi me pjesën e reagimit ndërkombëtar që është i domosdoshëm, dhe dalja e fakteve të tjera që ka të bëjë me korrupsionin e Ramës, do nxisi edhe revolta akoma më të forta. Protesta do arrijë qëllimin e saj, skenarët janë në vazhdimësi. Grupi parlamentar është shprehur të bëjë cdo sakrificë, me qëllim që protesta të arrijë qëllimin e saj”.

Protesta e opozitës, rregjistrohet polic i lënduar nga sulmet me molotov

Gjatë zhvillimit të protestës së opozitës këtë të martë përpara Kryeministrisë, situata ka përshkallëzuar tensionet pas fjalimit të kreu të PD-së Sali Berisha.

Demonstruesit kanë hedhur bomba molotov, fishekzjarre dhe sende të forta drejt ndërtesës së qeverisë dhe forcave të policisë.

Policia ndërhyri duke përdorur ujë me lëndë djegëse për të shpërndarë masat.

Si pasojë e këtyre sulmeve, një punonjës policie ka pësuar lëndime.

Pas tensioneve, protestuesit zhvendosen para Parlamentit

Pas tensioneve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur të zhvendosen drejt Parlamentit.

Turma e protestuesve pas disa minutash përplasjesh me efektivët e policisë dhe hedhjes së flakadanëve kanë ndjekur të njëjtën skenar si protestën e kaluar duke u zhvendosur tek Parlamenti.

Protestuesit me njëri-tjetrin po komunikojnë zhvendosjen e protestës ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë duke u larguar.

Një numër i vogël nuk ka lëvizur ende drejt Parlamentit.

“Largoni fëmijët nga tubimi”, policia i bën thirrje protestuesve të opozitës

Këtë të martë është zhvilluar protesta e opozitës, e ndërmarrë nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë.

Pas fjalës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, janë lëshuar molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë.

Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë me ujë.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrjet e policisë, të cilët kanë bërë thirrje që protestuesit të largojnë fëmijët nga tubimi.

“Rama i ka shpallur luftë drejtësisë”, Berisha para demokratëve: Paralajmëroi se nuk do përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

Kreu i PD, Sali Berisha, iu drejtua mbështetësve në protestë me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Berisha mohoi pretendimet se fjala e tij ishte ndërprerë në Strasburg, duke theksuar se aty kishte denoncuar kryeministrin Rama si drejtuesin e “shtetit të parë dhe të vetëm narkoshtet në Europë”. Ai e cilësoi opozitën si “opozita e vërtetë”, ndërsa protestën si zërin e ndërgjegjes qytetare, dinjitetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Berisha deklaroi se, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga mediat që i cilësoi si pranë qeverisë, opozita ka arritur të parandalojë atë që ai e quajti “grushti i shtetit më i rrezikshëm në historinë e Shqipërisë”. Sipas tij, kjo përbën një betejë të fituar, por jo përfundimin e luftës politike.

Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Rama se i ka shpallur luftë drejtësisë, duke iu referuar deklaratave për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e gjykatave për të pezulluar nga detyra zyrtarë të qeverisë. Ai theksoi se opozita duhet ta çojë deri në fund këtë betejë, duke e cilësuar Ramën si rrezikun më të madh për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Në përfundim, Berisha deklaroi se çdo tregues i këtyre 13 viteve të fundit, sipas tij, dëshmon për një rrënim të vendit, për të cilin fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.