Presidentja Vjosa Osmani ka realizuar takimet e paralajmëruara me liderë partiakë për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes – një nismë e presidentit Donald Trump për promovimin e paqes në botë. Por, një takim me kreun e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e fundit s’u lajmërua. Kryeministri në detyrë Kurti iu shmang në vazhdimësi një deklarimi për këtë ngjarje, ndërsa pati raportime se Osmani s’u dakordua me të për bashkimin me iniciativën e Trump.
Gazeta Express
Presidentja Vjosa Osmani shpërndau ftesat e saj për liderët partiakë për t’i informuar ata për anëtarësimin e Kosovës si një nga shtetet themeluese të Bordit të Paqes, një mekanizëm i ri që doli nga plani për Gazën i qeverisë amerikane, i cili synon promovimin e paqes nëpër botë.
Ky anëtarësim do të duhet të marrë edhe miratimin e Parlamentit të ri që do të konstituohet nga zgjedhjet e fundit dhe duket që Osmani do të ketë mbështetjen e shumicës.
Secili nga liderët partiakë pati mendim pozitiv për këtë nismë dhe deklaruan mbështetjen. Megjithatë, jo shumë konkret ishte kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili kur u pyet për anëtarësimin në këtë bord, foli më shumë për rolin e FSK-së në ruajtjen e paqes në vende të ndryshme të botës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i pari njoftoi për takimin me Osmanin në Presidencë për, siç tha ai, të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
“Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Më pas për takimin me shefen e shtetit lajmëroi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se çdoherë Kosova duhet të jetë në krah të Amerikës.
“Me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, zhvillova një diskutim mbi Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon. Presidentes Osmani i shpreha vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Donald J. Trump. Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim”.
Për takimin me kreun e partisë së dytë, Bedri Hamzën e PDK-së, nuk pati njoftim, por Gazeta Express merr vesh që Osmani ka takuar edhe Hamzën në të njëjtën ditë me Abdixhikun dhe Haradinajn.
Ndërkohë mbetet e paqartë nëse Osmani ka mundur ta takojë Kurtin për këtë çështje.
Gazeta Express dje ka kontaktuar me Presidencën, por s’ka marrë përgjigje.
Nga Qeveria në detyrë nuk ka pasë deklaratë zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Kjo mungesë deklarimi nga Qeveria mori vëmendje edhe nga shtypi i huaj.
Në një artikull në gazetën e njohur gjermane FAZ, gazetari Michael Martens kishte thënë se Osmani e kishte ndërmarrë këtë iniciativë krye më vete.
“Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, Osmani e bëri lëvizjen e saj pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në vend të kësaj, dy burime pohojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra se ishte kryeministri shqiptar Edi Rama ai që i siguroi Osmanit hyrjen te Trump”, kishte shkruar ai.
Ndërkaq, kjo gjë ishte vërejtur edhe nga një gazetar i mediumit publik të Polonisë, i cili derisa e pati mysafir ambasadorin e Kosovës në këtë shtet, Drilon Gashi, e pati pyetur nëse kjo do të miratohet nga Parlamenti pavarësisht mosdeklarimit rreth anëtarësimit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“A mund të presim që kjo të miratohet kur qeveria më në fund të formohet?”, pyeti gazetari.
“Këtë e presim dhe në sistem tonë politik, kemi një sistem hibrid në mes të Presidentes dhe Kryeministrit, por politika e jashtme udhëhiqet nga Presidentja”, kishte thënë ai.
Presidentja Osmani është duke tentuar ta marrë mbështetjen e Kurtit edhe për një mandat në krye të shtetit, por kreu i VV’së ka refuzuar të deklarohet direkt duke thënë se tani në radhë është formimi i institucioneve tjera. Jozyrtarisht thuhet se Kurti i ka thënë Osmanit se nëse e siguron praninë e deputetëve në sallë ai do t’ia japë votat e partisë së tij. Osmani dhe Kurti pritet të jenë pjesë e Konferencës së Sigurisë në Mynih që mbahet nga 13-15 shkurt.



Të tjera
Nuk ka prova për përfshirje në kr*ime
PDK-ja kërkon rezolutë për Gjykatën Speciale
KESCO pranon Çmimin për Ndikim Social dhe Gjithëpërfshirje nga CSR Network Kosova