Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka konfirmuar se Italia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu.
Tajani për kanalin Sky TG24 tha se Italia nuk do të marrë pjesë në këtë nismë për shkak të një “pengese kushtetuese”. Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë e Italisë për të kontribuar në përpjekjet për rindërtim në Lindjen e Mesme.
Muajin e kaluar, edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi për Rai News se një çështje e “papajtueshmërisë kushtetuese” nuk e lejon Italinë të bashkohet menjëherë me bordin.
Meloni iu referua një “problemi përputhshmërie” midis statutit të bordit dhe Nenit 11 të Kushtetutës së Italisë, sipas të cilit Italia mund të heq dorë nga pjesë të sovranitetit të saj vetëm mbi bazën e barazisë midis shteteve në kuadër të organizatave ndërkombëtare që synojnë paqen dhe drejtësinë. Sipas saj, kjo nuk zbatohet në rastin e Bordit të Paqes.
Më 22 janar, përfaqësues të 19 vendeve nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Bordi i Paqes u krijua në kuadër të përpjekjeve për zgjidhje paqësore në Rripin e Gazës. Washingtoni ka bërë të ditur se që atëherë nismës i janë bashkuar edhe shtete të tjera.
Takimi i parë është planifikuar të mbahet në Washington dhe pritet të zhvillohet më 19 shkurt në nivel liderësh. Nuk është e qartë nëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të marrë pjesë. Mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës pritet të jetë tema qendrore e takimit.



Të tjera
Kurti 3, Qeveri me zëvendëskryeministër me aktakuzë për korrupsion
Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik
Çaji i dafinës me kanellë për rënien e shëndetshme nga pesha