Deputetët e legjislaturës së dhjetë i dhanë dritën jeshile formimit të Qeverisë Kurti 3 me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, raporton KosovaPost.
“Urime, pas zgjedhjes së Qeverisë, anëtarët e Qeverisë e japin betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës” , tha nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Për katër vitet e ardhshme në krye të ekzekutivit do të jetë Albin Kurti. Ai do të udhëheq vendin me kabinetin e tij qeveritar, të përbërë nga 19 ministri gjithsej. Për dallim nga mandati i kaluar, kjo nënkupton 4 ministri më shumë.
Pas gati një viti të humbur, Kosova u bë me institucione të reja. Kuvendi i Kosovës u konstitua mbrëmjen e së mërkurës (11 shkurt), duke bërë që në ulësen e kryetares së Kuvendit të ulet Albulena Haxhiu.
Pozitën e nënkryetarëve do ta mbajnë Ardian Gola nga LVV, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDK, Sllavko Simic nga Lista Serbe dhe Emilja Rexhepi nga grupi multietnik.
Bllokada politike që çoi deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare rezultoi me daljen e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt i parë politik më i votuar. Pas sagës së manipulimit me vota në shumë komuna të Kosovës dhe nisjes së procesit të rinumërimit, Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatin përfundimtar zgjedhor më 9 shkurt.



Të tjera
Kurti 3, Qeveri me zëvendëskryeministër me aktakuzë për korrupsion
Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik
Çaji i dafinës me kanellë për rënien e shëndetshme nga pesha