Pas rreth një viti bllokade institucionale, Kosova më në fund ka formuar institucionet e reja. Mbrëmjen e djeshme u konstitua Kuvendi në krye me Albulena Haxhiun, si dhe u votua Qeveria e re me kryeministër Albin Kurtin.
Më pak se një orë u është nevojitur deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin mbrëmë, për çka qytetarët kishin pritur rreth një vit në legjislaturën e kaluar.
Me 66 vota për, Kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu.
Menjëherë pas zgjedhjes si Kryeparlamentare, Haxhiu mbajti një fjalim, ku u zotua se do të punojë në shërbim të Republikës me ndershmëri dhe vizion.
Në adresimin e saj para deputetëve, ajo theksoi se Kuvendi do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën.
Ajo përmendi edhe luftën e UÇK-së, si dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të saj.
“Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi bashkë. Prandaj të dashur deputetë, në veçanti për çështje të interesit kombëtar duhet të flasim me zë të qartë e të kemi qëndrim të përbashkët me zotimin se kjo republikë ka institucione që i dalin zot edhe në momentet më të vështira”, tha Haxhiu.
Pas fjalimit të saj, çështja kaloi tek nënkryetarët, të cilët u votuan në pako.
Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Emilija Rexhepi dhe Slavko Simiq, u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit me 104 vota pro.
Rreth dy orë më vonë, Kuvendi u mblodh sërish për ta votuar Qeverinë e re.
Haxhiu e ftoi kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, që para deputetëve të paraqes përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe një ekspoze të programit qeveritar.
Kurti e nisi fjalimin e tij duke thënë se këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Kërkesa e prokurorisë për dënimin për 45 vjet për secilin, ku përfshihen edhe pretendimet për krime kundër njerëzimit, Kurti tha se është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë drejtoj është i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik e historik”, tha Kurti.
Në mandatin e tij të ardhshëm qeverisës, Kurti tha se do ta funksionalizohet fabrika e municionit dhe do të prodhojnë dronët luftarakë “Made in Kosova”.
“Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë ‘Made in Kosova’”, theksoi Kurti.
Po ashtu, Kurti foli edhe për normalizimin e marrëdhëniet me Serbinë nëpërmjet dialogun konstruktiv.
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme”, theksoi Kurti.
Më pas prezantoi Kabinetin Qeveritar:
Glauk Konjufca – Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm;
Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë;
Fikrim Damka – Zëvendëskryeministri i tretë për Çështje të Pakicave;
Hekuran Murati – Ministër i Financave;
Andin Hoti – Ministër për Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare;
Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes;
Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme;
Lulzon Jaxhiu – Administratës Publike dhe Digjitalizimit;
Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë;
Hajrulla Çeku – Ministër i Arsimit dhe Shkencës;
Saranda Bogujevci – Ministër i Kulturës dhe Turizmit;
Blerim Gashani – Ministër i Sportit dhe Rinisë;
Elbert Krasniqi – Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal;
Fitore Pacolli – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Armend Muja – Ministër i Bujqërisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
Dimal Basha – Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit;
Mimoza Kusari – Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane;
Artane Rizvanolli – Ministre e Ekonomisë;
Nenad Rashiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim;
Rasim Demiri – Ministër për Zhvillim Rajonal.
Kryetari i PDK-së, deputeti Bedri Hamza, bëri me dije se në seancën e parë të punës së Kuvendit, PDK do të procedojë për votim rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, tashmë të dorëzuar në Kuvend, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut.
Më pas, Hamza tha se PDK do të mbështesë çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Përkrahja për konsensus, shtoi ai nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore.
“Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, theksoi Hamza.
Kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, tha se LDK shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional në Kuvend për tema që tejkalojnë aritmetikën parlamentare.
Në këtë kontekst, ai tha se LDK beson e stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi, respekt për opozitën dhe vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash por çështje e kulturës politike.
“Të qëndrosh përballë këtij pushteti nuk do të thotë kundërshtim i verbër, sa për hir të kundërshtimit. Por, do të thotë mbrojtje e shtetit nga tronditja e pushtetit për të mos pasur kufij. Do të thotë ruajtje e hapësirës ku fjala e lirë thuhet pa frikë dhe ku shteti nuk shndërrohet në zotërim të një force të vetme politike. Në këtë kuptim, të qëndrosh përballë pushtetit që ka gjithçka, është mënyra e vetme për të ruajtur atë që nuk duhet të ketë askush i vetëm: fatin e Republikës së Kosovës”, theksoi Abdixhiku.
Deputeti nga Lista serbe, Igor Simiq, tha se deputetët e kësaj liste nuk do të mbështesin Qeverinë e re të Kosovës.
Simiq pati ankesa edhe ndaj propozimit të Kurtit që Nenad Rashiq të zgjidhet ministër për Komunitete dhe Kthim.
Në vazhdim, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se numri më i madh i ministrive është akomodim i një pushteti që synim e ka të shtyjë një agjendë “puro” partiake.
“Ne jemi sot këtu ku si deputetë, si grup parlamentar, do të duhej të reflektonim mbi një program, mbi një ekspoze, mbi një kabinet të kësaj qeverie, të cilin as nuk e kemi parë, as nuk e kemi lexuar, por e kemi dëgjuar prej kandidatit për kryeministër në këtë foltore”, theksoi Tahiri.
Në emër të deputetëve nga komuniteteve tjera joserbe, deputeti Artan Asllani, i dha mbështetje Qeverisë së re të Kosovës.
Pastaj u hodh në votim, ku Qeveria Kurti 3 u votua me 66 vota për dhe 49 kundër.
Kurti dhe Ministrat e tij u betuan më pas nën intonimin e Himnit të Kosovës.
Më pas Kuvendi mbylli punimet.



Të tjera
Plenkoviq uron Kurtin, riafirmon mbështetjen kroate për Kosovën
Qeveria procedon në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026
Nesër nisin diskutimet me partitë politike për çështjen e presidentit