Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, deklaroi sot në Bruksel se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nuk paraqet asnjë kërcënim për askënd dhe se synimi i tij është stabiliteti i rajonit.
“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO, Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe për këtë arsye interesat tona janë të përbashkëta. Ne kemi interes stabilitetin e këtij rajoni të Evropës, e jo destabilizimin”, tha Anushiq për agjencinë e lajmeve “Beta”
Ai kujtoi se Kroacia ka një marrëveshje të njëjtë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes edhe me Serbinë, të nënshkruar në vitin 2010, e cila mbulon nëntë fusha të bashkëpunimit të përbashkët dhe që ende është në fuqi.
“Kroacia dëshiron t’i ndihmojë Shqipërisë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, përkatësisht në BE dhe NATO, ashtu siç jemi të gatshëm ta bëjmë edhe për Serbinë, nëse vendos të ndjekë rrugën evropiane apo atë të NATO-s”, theksoi ministri kroat, i cili sot mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.
Anushiq shtoi se brenda NATO-s dhe BE-së ekzistojnë dhjetëra marrëveshje dhe deklarata të tilla bashkëpunimi, të cilat kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive, teknologjive dhe lidhjen e industrive të mbrojtjes.
“Nuk kemi qenë kurrë kërcënim për askënd, e veçanërisht jo Kroacia, dhe as nuk e planifikojmë të jemi. Anëtarësimi ynë në NATO dhe BE na obligon dhe ne as mundemi, as duam të veprojmë ndryshe”, tha më tej ministri kroat i Mbrojtjes.
Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, në një takim në Shkodër të mërkurën, diskutuan mbi sfidat e sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Pas takimit u njoftua se këtë vit do të zhvillohet ushtrimi i parë i përbashkët trepalësh, në kuadër të deklaratës së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të arritur vitin e kaluar.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e dënoi ashpër takimin, duke pretenduar se veprime të tilla mund të shkaktojnë pasoja të gjata mbi sigurinë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor.



Të tjera
Nëse keni këto shenja, duhet të pini më shumë ujë
Buxheti dhe marrëveshjet e BE-së mbledhin dy komisione parlamentare
Vasfije Krasniqi mbështet Marshin ‘Drejtësi, jo politikë’, do të jetë njëra nga folëset më 17 shkurt