Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, janë shprehur kundër që projekt-buxheti për vitin 2026 të votohet në procedurë të përshpejtuar.
Përfaqësuesit e tri partive parlamentare kanë argumentuar se s’ka ndonjë urgjencë që të shmangen procedurat për buxhetin, derisa më 12 shkurt është bërë zgjatja buxhetore edhe për muajin mars.
Sipas tyre, projekt-buxheti për vitin 2026 është ligji më i rëndësishëm i qeverisjes, andaj duhen disa ditë që buxheti të shqyrtohet.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se deputetëve iu duhen minimumi tri ditë që të analizojnë buxhetin, i cili është një dokument me 700 faqe.
“PDK nuk e mbështet këtë propozim. Ne e dimë dhe kuptojmë rëndësinë e buxhetit, por dje e kemi argumentuar dhe dëshmuar vullnetin që shteti mos të bllokohet duke mbështetur propozimin për vazhdimin buxhetor për muajin mars… Minimumi kërkojmë një afat optimal që për ne është tri ditë, në mënyrë që deputetët të shohin materialin dhe të analizojnë duke marrë parasysh se është një dokument voluminoz rreth 700 faqe”, tha ai.
Kundër u shpreh edhe kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, i cili tha se trajtimi i buxhetit me procedurë të përshpejtuar është qasje joserioze e mazhorancës.
Ai tha se projekt-buxheti për vitin 2026 nuk reflekton as strukturën e tanishme të kabinetit qeveritar, derisa kërkoi edhe prezencën e kryeministrit Kurti në seancën plenare.
Kurti gjatë ditës ka njoftuar se është nisur për në Konferencën e Sigurisë që po mbahen në Mynih.
Kritika ndaj kabinetit qeveritar dhe LVV-së adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri: Deputetët nuk janë supermenë që të lexojnë një dokument 700 faqe për tri orë
Kritikave iu kundërpërgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se synimi ka qenë që të jetë një buxhet emergjent, derisa të ketë një buxhet të rishikuar më së largu në muajin e ardhshëm.
Ai tha se parashihet në ligj, në nenin 11 për shtimin e dikastereve qeveritare.
Murati: Do të rishikojmë buxhetin për vitin 2026
Por atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i cili tha se kërkesa për miratim të buxhetit me procedurë të përshpejtuar është tendencë shmangie e debatit.
Bajrami: Po kërkoni shmangie të debatit
“Nuk e shpjegove arsyen e urgjencës. PO të kërkohen tri ditë për me analizu ligjin e buxhetit. Tri ditë po kërkojmë kohë. E vetmja arsye që neve na shkon në mendje është që ju po kërkoni t’i shmangeni debatit në seancë”



Të tjera
Tomë Gashi: Fjalët përmbyllëse të Prokurorisë në Hagë nuk kanë kurrfarë vlere juridike, atë se pyet askush!
“Më në fund e fitova burrin tim”, dedikimi plot dashuri i Anitës për Ramush Haradinajn
FMN: Ngërçi politik në Kosovë ngadalësoi rritjen ekonomike në 2025