Kuvendi i Kosovës me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, zgjodhi qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin.
Kurti mori mandatin e dytë të plotë katërvjeçar si kryeministër i Kosovës, pasi në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025, partia të cilën ai e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, mori mbi 51% të votave. Qeveria e re e Kurtit do të ketë 19 ministri.
Para formimit të qeverisë së re të Kosovës, fillimisht u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku u zgjodh kryetarja Albulena Haxhiu dhe kryesia e Kuvendit.
Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetare Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia më e madhe që fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje. Zonja Haxhiu mori 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenuan.
Qarri: Kurti ka krijuar besueshmëri të lartë dhe gjendje të qëndrueshme në të gjitha aspektet në vend
E për konstituimin e Kuvendit, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Si fillim, ai kujtoi bllokadën dhe lojërat politike, që sipas tij, për muaj të tërë i kanë bërë partitë opozitare, që sollën edhe ngërrcin politik.
“Pas një viti ngërçesh e bllokadash të turpshme, kundër krijimit të Qeverisë dhe institucioneve legjitime shtetërore të Republikës së Kosovës, si dhe inskenimeve arkaike e lojërave tjera banale politike të opozitës së inkriminuar, sikur Albin Kurti t`ua kishte fajin, që Populli i Kosovës, nga përvoja e hidhur korruptive e kriminale me ta, nuk i votoi në vitin 2021, nuk i votoi në shkurt, as më 28 dhjetor të vitit 2025, fatmirësisht akti i lart qytetar e patriotik i mënyrës së votimit të Sovranit, i dha fund ngërçit politik në Kosovë, për të mos e shfaqur Kosovën edhe njëherë, në sfondin më qesharak para botës”.
Përveç kësaj, tha se konstituimi i Kuvendit, i dha impuls të ri edhe forcimit të mëtejmë të rendit e ligjit dhe shtetit të së drejtës.
“Dhe , vetëm vendimi demokratik i votuesit të vetëdijshëm të Kosovës, pas mese një viti anarkie mundësoi këtë zhvillim kaq të rëndësishëm për stabilitetin politik të vendit, si dhe i hapi rrugë funksionimit institucional të shtetit të Kosovës, me një konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe zgjidhjen pa asnjë problem dhe të njëkohshme edhe të qeverisë së re, duke shënuar kështu edhe fundin e ngërçi mese 1 vjeçar politik, si dhe fillimin e mbarë të mandatit të ri qeverisës, të z. Albin Kurti, politikanit më të votuar në Kosovën e pasluftës.
Përveç përfundimit të ngërçit dhe pasigurisë politike në vend, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhja e Qeverisë së re, të dala nga vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti demokratik i popullit të Kosovës, i dha impuls të ri edhe forcimit të mëtejmë të rendit e ligjit dhe shtetit të së drejtës, miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përshpejtimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike, duke filluar me votimin në Kuvend të buxhetit të shtetit, marrëveshjeve me BE-në dhe Bankën ndërkombëtare, miratimin e vendimit të Kongresit e të presidentit amerikan Donald Trump, për futjen e Kosovës në Ligjin e Mbrojtjes të SHBA-ve, si dhe miratimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Misionin e Paqes, në krye me SHBA-të’, theksoi ai.
“Krijimi i shpejt i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, përveç dëshmisë para faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, për punën serioze për të ndërtuar Qeveri demokratike dhe udhëheqje të qëndrueshme shtetërore, unë e vlerësoj lartë përzgjedhjen e kabinetit të ri qeverisës, veçanërisht emërimin e z. Konjufca për Zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të punëve të jashtme, i cili pritet t’i udhëheqë edhe bisedimet me Serbinë dhe ashtu siç u shpreh edhe Kryeministri vet, presë që edhe në mandatin vijues, të mos lejohen ndërhyrjet e Serbisë në çështjet e brendshme të shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe mbrojtjen e vendosur politike dhe diplomatike të sovranitetit dhe paprekshmërisë territoriale në tërë gjeografinë e Republikës tone”, shtjelloi Qarri.
Gjithashtu, ai foli edhe për pritshmërit që ka nga qeveria Kurti 3, ku tha se pret që të ketë vazhdimësi të punës në veri dhe politika të drejta e të fuqishme kundër Serbisë.
Krahas kësaj, vlerësoi se Kurti ka krijuar besueshmëri të lartë gjatë mandatit të kaluar, derisa e ka vendosur Kosovën ndër vendet e para për rend, ligj e siguri.
Duke qenë se z. Kurti ka krijuar besueshmëri të lartë dhe gjendje të qëndrueshme në të gjitha aspektet në vend, i cili brenda vetëm një mandati ka arritur ta vendosë Kosovën ndër vendet e para për rend, ligj e siguri në Evropë dhe më gjerë, urimet për Qeverinë e re erdhën menjëherë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se mezi pres ta vizitoj Kosovën sa më shpejt, ngase me një Kosovë stabile e demokratike edhe rajoni është më i qetë dhe stabil”.
Ndër të tjera, analisti përmendi urimet që Kosova, mori nga ndërkombëtarët me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re.
Po ashtu, ai përmendi edhe fondet që pritet të marrë nga ndërkombëtarët.
Mehmeti: Nga mandati i qeverisë Kurti 3 presim bukur shumë
Ndërsa, analisti politik, Gani Mehmeti tha se me qeverinë Kurti 3 priten shumë punë dhe sfida.
Megjithatë, ai në prononcim për “Bota sot” tha se gjithçka që fitohet me vlerë e ka rëndësinë më të madhe.
“Nga mandati i qeverisë Kurti 3 presim bukur shumë. Ka punë shumë për përbrenda dhe për marrëdhënie me jashtë.
Gjithçka që fitohet me mund, ka edhe vlerën më të madhe e me të rëndësishme.
Deri sa Qeveria Kurti 3 nuk mundi të formohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 gjatë gjithë vitit, në mungesë të numrit të mjaftueshëm të deputetëve dhe në mungesë të lidhjes së një bashkëpunimi (aleancë) me ndonjërën nga partitë opozitare, erdhi deri tek zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me mbi 51% dhe me 57 deputetë, iu mundësua formimit të institucioneve të Republikês së Kosovës, mbështetur me 66 deputetë”, nënvizoi analisti.
Mirëpo, me formimin e qeverisë së re, priten punë të mëdha dhe efikasitet të lartë nga Kurti 3.
Në këtë pikë, përmendi dialogun me Serbinë dhe atë se si duhet të vepruar në raport me këtë pjesë.
“Pas një viti, Kosova u bë me Kuvend dhe me Qeverinë Kurti 3, i pritur aq shumë nga votuesit.
Meqë tani u formuan institucionet, mendoj se edhe puna do të eci më shpejt e më mirë në favor të Republikës sê Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Nga kjo Qeveri presim një angazhim dhe efikasitet më të madh në kryerjen e punëve të saja në të gjitha drejtimet.
Nëse mandatin e mëparmë ka qenë fillestare dhe “e papërvojë”, tani duhet ta marrë punën me seriozitetin më të madh. Qeveria presim se do të punojë për qytetarët e saj dhe për çarjen përpara të shtetit brenda dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare me SHBA, BE e shtetet e tjera, përfshirë këtu edhe bisedimet me Serbinë, që edhe kêsaj radhe është një barrë e madhe për qeverinë, me shpresë se do të përfundojnë ashtu siç është më së miri për Kosovën, shkuarjen deri në njohjen e ndërsjellë të dy shteteve – të Kosovës dhe Serbisë”.
Në fund, Mehmeti uroi qeverinë Kurti 3 dhe i dëshiroi suksese, derisa tha se duhet të ketë pushtet në përgjegjësi.
Ai foli edhe për minsitrat e rinj.
“Me formimin e kabinetit të Qeverisë, ndoshta është paksa heret të themi diçka për të, pse disa ministra janë të rinj dhe më pak të njohur për publikun. Megjithatë, shpresojmë të ecën puna siç është më së miri, nëse do të ketë disiplinë në punë dhe duhet të matet puna e secilit dikaster e në rast nevoje të ketë ndonjë ndryshim sipas nevojës.
Më në fund, çdo qeveri në pushtet ka përgjegjësi. Dhe, nëse mendon për mandat tjetër, duhet të tregohet shumë i suksesshëm në punë dhe të mos i zhgënjejë votuesit, por që ata të ndahen të kënaqur me punën e qeverisë.
Më në fund, Qeverisë Kurti 3 i urojmë suksese!” – përmbylli Gani Mehmeti



Të tjera
Maqedonci diskuton bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe Shqipërinë
Sveçla dorëzon detyrat e digjitalizimit e administratës publike te Jagxhiu
Bahtiri: Nuk votova për Listën Serbe, por për funksionalizimin e Kuvendit