Sa shanse ka Kosova të futet në NATO? Flet ambasadori shqiptar

Sa shanse ka Kosova të futet në NATO? Flet ambasadori shqiptar

Ambasadori shqiptar, Gazment Turdiu, ka shuar shpresat që Kosova të mund të bëhet shpejt anëtare e NATO-s.

Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai tha se, pavarësisht rolit përcaktues që ka ShBA-ja për vendimmarrjen brenda Aleancës Atlantike, katër vende që janë pjesë e NATO-s nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe sipas tij, bazuar në këtë analizë, Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin në NATO.

“Kosova nuk do të jetë shpejt anëtare e NATO-s, sepse pavarësisht rolit përcaktues që kanë ShBA për vendimmarrjen brenda Aleancës Atlantike, të gjitha vendimet merren me konsensus, por mos të harrojmë, disa vende që janë anëtare të NATO-s, nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”.

“Më duket e pamundur që vendet që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës të votojnë për Kosovën në anëtarësimin në NATO, sepse në NATO futen shtetet, nëse nuk e njeh si shtet, nuk futesh dot, por kjo nuk pengon bashkëpunimin”, u shpreh ambasadori shqiptar.

Por, ai thotë se Kosova është e ankoruar dhe do të mbetet e ankoruar përfundimisht me NATO-n.

Megjithatë, Turdiu është i mendimit se fakti që ka një bazë të fuqishme të NATO-s në Kosovë, siç është Bondsteel, nuk është arsye e mjaftueshme për anëtarësim normal.

Ai shtoi se ShBA-ja ka bazë të fuqishme edhe në Katar, ku kanë edhe bombarduesit strategjikë, por Katari nuk do të bëhet ndonjëherë anëtar i NATO-s.

Turdiu tutje tha se Kosova nuk rrezikohet për një sulm nga Serbia, duke qenë shtetet anëtare të NATO-s aty.

“Unë besoj se Kosova nuk rrezikohet nga një sulm i jashtëm nga Serbia, se s’ka tjetër nga rrezikohet, sepse ka trupa të NATO-s, ka një mbrojtje të ngjashme me të gjithë mbrojtjen e të gjitha vendeve të tjera që janë anëtare formale të NATO-s”, tha ambasadori shqiptar.

Madje, ai tha se Kosova është e mbrojtur ushtarakisht, dhe se “aktualisht flamë të qetë”.

Diplomati shqiptar thekson se Kosova do të duhet të vazhdojë të ruajë lidhje të fuqishme me Perëndimin, t’i zhvillojë ato dhe të kujdeset për to, si dhe të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse.

Ambasadori mendon se edhe në kohën kur Kosova të bëhet me të drejta të plota pjesë e NATO-s, nuk është se do të luajë rol kryesor kapaciteti ushtarak i Kosovës, sikundër edhe kapaciteti i Shqipërisë.

“Shqipëria kontribuon në NATO me 0,007% të kapaciteteve, nuk bën ndryshim, por ka një votë siç e kanë vendet e tjera. Aspekti politik është shumë i fuqishëm dhe konfirmimi i vullnetit politik të Kosovës për të bërë anëtare të NATO-s është thelbësor në këtë proces”, deklaroi ambasadori.