Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, reagoi pas deklaratave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Mojsiloviq, i cili tentoi ta paraqesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si një kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.
Ministri Maqedonci e quajti këtë përpjekje të pavërtetë dhe të papërgjegjshme, duke theksuar se ato janë “në kundërshtim me realitetin në terren”. Ai shtoi se FSK është një forcë profesionale që vepron nën kontroll civil dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha ai.
Maqedonci theksoi gjithashtu se modernizimi i ushtrisë nuk ka karakter kërcënues dhe përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran.
“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, theksoi ai.
Ministri apeloi kundër narrativeve që synojnë tensione dhe frikësim të komuniteteve, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe maturisë.
“Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”, tha Maqedonci.
Maqedonci ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët:
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, tha ai.



Të tjera
Kurti pas takimit me Ramën: Diskutuam për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë
Arsyet pse flini më shumë se tetë orë
Policia me plan të veçantë operativ për 18-vjetorin e Pavarësisë, disa rrugë do të mbyllen