Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, organizoi ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, e cila paraqet evolucionin e parasë shqiptare gjatë një shekulli dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me fjalë rasti, si dhe drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, anëtarë të organeve drejtuese të BQK-së dhe mysafirë të tjerë, transmeton KosovaPost.
Në fjalën e tij hapëse, Guvernatori Ismaili, theksoi se kjo ekspozitë përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të evolucionit monetar dhe institucional, duke reflektuar rolin themelor të bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar, ndërtimin e besimit publik dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Guvernatori Ismaili nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë përfaqëson një partneritet strategjik që përfshin harmonizimin rregullativ, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, avancimin e edukimit financiar dhe shkëmbimin e përvojave institucionale, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm financiar dhe përshpejtimit të integrimit evropian.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi bashkëpunimin institucional mes dy vendeve. Ai theksoi se kjo ekspozitë është një rrëfim për mënyrën se si shoqëritë tona kanë ndërtuar besim ndër vite, si janë forcuar institucionet përmes sfidave dhe përpjekjeve dhe se si shteti nuk është vetëm një strukturë ligjore, por njëkohësisht marrëdhënie zotimi mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Më tej ai veçoi se raporti dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm, dhe se pikënisjen e ka te historia e përbashkët dhe kurse vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave.
Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin mes dy bankave qendrore, përfshirë aktivitetet e edukimit financiar, dhe theksoi se ekspozita shkon përtej historisë institucionale duke pasqyruar jetën e përditshme të shqiptarëve, si kanë paguar, kursyer, përballuar kriza dhe ndërtuar aspirata për stabilitet e mirëqenie. Ai shtoi se përmes dokumenteve, objekteve, imazheve dhe rrëfimeve, ajo paraqet në mënyrë të plotë zhvillimet monetare dhe ekonomike të vendit.
Në përmbyllje të ceremonisë, mysafirët e pranishëm u njohën me materialet e ekspozitës të prezantuara nga stafi i Bankës së Shqipërisë dhe realizuan një vizitë të përbashkët në ambientet e saj. Ekspozita do të jetë e hapur në BQK për publikun e kufizuar gjatë kësaj jave dhe synon të ofrojë një përvojë edukative financiare dhe monetare.
Hapja e ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje” në Prishtinë, pason prezantimin e saj në Tiranë, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe parasë shqiptare, dhe përkon me javën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një rëndësi të veçantë institucionale dhe historike.



Të tjera
“Edi Rama na kallëzoi ‘sekretin’ për Vjosa Osmanin rreth Speciales, e zuri në befasi atë” – Mushkolaj: E pashë si mbështetje për Osmanin
Presidenti italian uron Osmanin për pavarësi: Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës
Si ta dalloni një narcisoid? Shihni për këto shenja