18 vjetori i pavarësisë, Rubio: SHBA e palëkundur në mbështetje të sovranitetit të Kosovës

SHBA e palëkundur në mbështetje të sovranitetit të Kosovës

SHBA riafirmon mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Në mesazhin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Rubio theksoi se SHBA pret të zgjerojë më tej bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, me synim rritjen e prosperitetit për të dyja vendet.

Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Kosovës për përpjekjet amerikane në përballjen me sfidat globale dhe përmendi pjesëmarrjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Donald Trump.

“Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, mezi presim një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën ndërsa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, thuhet në urimin zyrtar.