Krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe procesi gjyqësore në Hagë u përmendën si çështje qendrore në fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar Republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit, ndërsa foli edhe për akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve edhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar Republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë, dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”, tha ai.
Kurti theksoi se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk qëndrojnë, dhe se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.
“Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve edhe përpiqemi që ta ruajmë e ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.
Më tej i pari i ekzekutivit tha se brazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm.
“Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, theksoi kryeministrit Kurti.



Të tjera
12 gjëra që çojnë drejt një ndarjeje
Në çfarë ore duhet të flenë fëmijët?
Maska me uthull molle dhe sodë buke: Aknet dhe shenjat hiqen si me magji!