Në vigjilje të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Agjutantin e Garda Kombëtare e Ajovës, Gjeneral Brigade William McClintock, së bashku me stafin e tij, transmeton KosovaPost.
Fillimisht, Gjeneral Jashari e falënderoi Gjeneral McClintock për mbështetjen e Gardës Kombëtare të Ajovës në ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së. Ai e njoftoi mysafirin për zhvillimet aktuale në FSK dhe rolin e saj në sigurinë në vend, si kontribues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal, njofton FSK.
Nga ana tjetër, Gjeneral Brigade McClintock e përgëzoi Jasharin për lidershipin dhe arritjet e FSK-së, duke uruar njëkohësisht popullin e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan progresin e arritur nga FSK-ja në ngritjen dhe modernizimin e kapaciteteve aktuale, si dhe shprehën vlerësim të lartë për performancën dhe nivelin e ndërveprueshmërisë së trupave në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta, veçanërisht gjatë trajnimit përgatitor për dislokim në JRTC në SHBA.
Me këtë rast, Gjenerallejtënant Jashari dekoroi Gjeneralin McClintock me Medaljen për shërbim vetëmohues, për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të pakusht në zhvillimin dhe avancimin e programit të partneritetit të përbashkët ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në përmbyllje të takimit, gjeneralët riafirmuan se avancimi dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës përbën prioritet me rëndësi strategjike, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës mbetet element kyç për sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.




Të tjera
Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes për Gazën, hap drejt NATO-s
Konjufca nga Haga: UÇK-ja ishte aleate e NATO-së në terren, nuk mund ta quash ndërmarrje të përbashkët kriminale
Ushqimet që luftojnë lodhjen kronike