Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë shërbim të detyrueshëm ushtarak, por do të zhvillojë modelin e shërbimit vullnetar në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Siç raportojnë mediat lokale, Maqedonci theksoi se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse synon përfshirjen e qytetarëve në mënyrë vullnetare për të rritur kapacitetet rezervë të vendit.
“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Maqedonci.
Sipas ministrit, qëllimi është ndërtimi i një sistemi rezervë që mund të aktivizohet në rast nevoje, në përputhje me praktikat e vendeve të NATO-s. Ai shtoi se FSK-ja ka kapacitete materiale të mjaftueshme për këtë model.
“Ne sot kemi katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv”, tha Maqedonci duke theksuar se përfshirja e qytetarëve do të rregullohet me ligj dhe do të shoqërohet me trajnim të duhur.
Ai po ashtu tha se qëllimi nuk është “militarizimi i shoqërisë, por rritja e gatishmërisë dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e vendit”.
Maqedonci theksoi se FSK-ja mbetet një forcë profesionale dhe se modeli i rezervave do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.



Të tjera
Si të kujdeseni për stomakun çdo ditë, gabimet që duhet t’i shmangni
Për*plasje mes qytetarëve dhe policisë gjatë pr*otestës së opozitës
Kurti për Lojërat Mesdhetare: Projekt që tejkalon sportin