“I dëmtuari pagoi 14 mijë euro kamatë”, kërkohet paraburgim ndaj një personi në Rahovec për fajde

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit me inicialet M.I., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet M.I., në qershor të vitit 2024, e në vazhdimësi në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit H.F. Në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare pasi i duheshin të holla për shërimin e tij, nga i njëjti merr të holla në shumë prej 7000 € (shtatëmijë euro) i cili për çdo muaj paguan shumën prej 700 € (shtatëqind euro), e që ratën e ardhshme i ka caktuar ta paguaj më së largu deri me datë 21.02.2026.

Deri me datën e inicimit të hetimit ka paguar kamatë me fajde shumën prej 14.000 € (katërmbëdhjetëmijë euro), me ç’rast ditën kritike me datë 21.02.2026 i njëjti është arrestuar nga ana e policisë gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore duke i pranuar të hollat në vlerë prej 700 euro nga i dëmtuari.

I pandehuri që nga data 21 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.