Konjufca pret në takim ambasadorin britanik, flasin për thellimin e bashkëpunimit

Konjufca pret në takim ambasadorin britanik, flasin për thellimin e bashkëpunimit

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Glauk Konjufca, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit, në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Hargreaves e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri dhe rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës, shkruan KosovaPost.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Palët riafirmuan qëndrimet e përbashkëta në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshtimin e agresionit rus, si dhe theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.”, thuhet në njoftim.

“Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar.”, thuhet tutje.