Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimi për avancimin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përcjell KosovaPost.
Në takimin e parë pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Guérot e uroi Konjufcën për detyrën dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit të ngushtë me Kosovën.
Gjatë bisedimeve u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve, si dhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve.
Ministri Konjufca theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Republika e Kosovës vlerëson partneritetin dhe përkrahjen e Francës, dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, theksohet në njoftimin e MPJD-së.



Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten
Lutfi Haziri zbulon kushtin e LDK-së për një marrëveshje me VV-në
Mësojeni veten si të jeni pozitivë