Tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen pas su*lmeve ushtarake

Tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen pas su*lmeve ushtarake

Situata në Lindjen e Mesme ka hyrë në një fazë kritike pas sulmeve të koordinuara ajrore nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, duke shkaktuar viktima dhe reagime të ashpra ndërkombëtare.

Sipas raportimeve iraniane, Garda Revolucionare ka goditur aeroplanmbajtësen amerikane “Abraham Lincoln” me katër raketa balistike në Gjirin Persik, një veprim që Teherani e prezanton si hakmarrje pas sulmeve që vranë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.

Megjithatë, Komanda Qendrore e SHBA-së mohon çdo goditje ose dëmtim në aeroplanmbajtëse dhe i konsideron raportimet si të pasakta, duke theksuar se anijet amerikane nuk janë prekur.

Në përplasjet e fundit, tre ushtarë amerikanë kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi për CNBC News se operacionet po zhvillohen “përpara afatit” dhe tha se gjatë sulmeve janë vrarë 48 udhëheqës iranianë, duke e cilësuar regjimin iranian si “një nga më të dhunshmit në histori”. Ai gjithashtu theksoi se veprimet e SHBA-së janë për sigurinë jo vetëm të vendit të tij, por edhe të botës.

Sipas raporteve mediatike, ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad, i cili udhëhoqi vendin nga 2005 deri në 2013, u vra në një sulm ajror izraelit në Teheran. Megjithatë, familja e tij mohon lajmin, duke krijuar një situatë të paqartë mbi fatin e tij. Ahmadinejad është i njohur për politikën e tij konservatore dhe deklaratat kundër-perëndimore, veçanërisht kundër Izraelit.

Ngjarjet e dhunshme kanë shkaktuar viktima edhe tek civilët. Një sulm raketor ndaj një shkolle vajzash në Minab, në jug të Iranit, ka shkaktuar të paktën 148 të vdekur dhe 95 të plagosur, sipas mediave shtetërore iraniane.

Ndërkohë, sulmet raketore iraniane ndaj qyteteve izraelite si Beit Shemesh kanë shkaktuar të paktën 9 të vdekur dhe 23 të plagosur, ndërsa sulmet ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe kanë vrarë 3 persona dhe plagosur 58 të tjerë. Autoritetet në UAE raportojnë se janë rrëzuar mbi 500 dronë dhe raketa balistike.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka deklaruar se ushtria iraniane mbetet e aftë të mbrojë vendin dhe se Teherani është i hapur për përpjekje serioze për de-përshkallëzim të tensioneve. Ai gjithashtu kujtoi përpjekjet diplomatike me SHBA-në, duke theksuar se negociatat e mëparshme janë ndërprerë nga sulmet, por se marrëveshje e mundshme ishte ende në horizont para eskalimit të dhunës.

Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, me sulme dhe kundërsulme që vazhdojnë, humbje të konsiderueshme njerëzore dhe një pasiguri të madhe mbi zhvillimet e mëtejshme.

Komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim ngjarjet, ndërsa paralajmërohet se çdo veprim i mëtejshëm mund të ketë ndikim global në stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet ndërkombëtare./rtk