Gjykata e Strasburgut ka regjistruar për herë të parë padinë kundër Serbisë që lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Drini Grazhdani, i cili ka njoftuar përmes Facebook-ut se padia është dorëzuar për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj Teuta Fazliut.
Sipas tij, regjistrimi i rastit përbën një hap të rëndësishëm procedural dhe një zhvillim inkurajues në përpjekjen për ta çuar çështjen deri në fund, raporton Klankosova.tv.
“Serbia është angazhuar në spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve, duke i pasivizuar adresat jo vetëm të atyre që punojnë jashtë, por edhe të atyre që jetojnë brenda vendit. Ky pasivizim nuk është simbolik, i detyron shqiptarët të largohen, pasi qytetarët humbasin të drejtën për të marrë letërnjoftim/pasaportë të re, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor, të drejtën e votës, etj. Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare. Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar ai.
Përmes të njëjtit postim, avokati u ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që të ndjekin të gjitha procedurat ligjore brenda vendit, si hap i domosdoshëm para adresimit të çështjeve në Gjykatën e Strasburgut. /Klankosova.tv




Të tjera
Kryeministri Kurti uron Donjeta Sadikun për triumfin në ‘Strandja 2026’
Dhimbjet e barkut, fryrjet dhe problemi i zorrëve e paraqesin këtë sindromë
Padia në Strasburg një hap drejt drejtësisë