Ora e parë mësimore në shkollat e Kosovës i kushtohet `Epopesë së UÇK-së`

Ora e parë mësimore në shkollat e Kosovës i kushtohet `Epopesë së UÇK-së`

Sot fillon shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa manifestimet në nderim të luftës çlirimtare dhe familjes Jashari do të mbahen më 5, 6 dhe 7 mars. Në kuadër të shënimit të kësaj epopeje, sot ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës i kushtohet luftës çlirimtare të familjes Jashari.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK- në nga shkolla fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj, Ardita Idrizi, mësuese në këtë shkollë tha se çdo vit kanë traditë që ta shënojnë këtë ngjarje në këtë mënyrë, duke filluar me Himnin e Kosovës dhe duke përgatitur aktivitete të ndryshme, në mënyrë që nxënësit të njihen me historinë e familjes Jashari dhe të kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e lirisë që gëzojmë sot.

Ajo tregoi se Shaban Jashari ka qenë një ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle. Po ashtu, tha se është e lidhur emocionalisht me familjen Jashari, sepse siç u shpreh.

“Kam pasur fatin dhe nderin të jem mësuesja e pesë nipërve dhe mbesave të familjes Jashari, Ademit të ri, Hamzës dhe Zahides, po ashtu edhe Zarifes, ata kanë qenë nxënës të kësaj shkolle”, tha ajo.

“Fëmijët duhet të mësojnë për historinë e popullit shqiptar dhe për historinë e familjes Jashari, për sakrificat dhe vuajtjet që ka përjetuar populli shqiptar. Duke njohur historinë, ne zhvillojmë të ardhmen e vendit”, vazhdoi ajo.

Ndërsa nxënësja e kësaj shkolle, Anuma Mehmeti, tha se “5, 6 dhe 7 marsi nuk janë vetëm data. “Ato janë Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ditët kur komandanti legjendar Adem Jashari luftoi dhe u sakrifikua për lirinë dhe pavarësinë që ne e gëzojmë sot”.