Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, tha se Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sakrifica për të.
Gjatë fjalës së saj para deputetëve, ajo theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj.
“Në historinë tonë të lavdishme, 5 marsi dhe Epopeja e UÇK-së janë pikëtakimi ynë ku bashkohemi dhe reflektojmë mbi unitetin dhe vetëdijen kombëtare. Kjo datë mbledh njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot çdoherë kur ka nevojë për ne. Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin”, tha Selimi, njofton Klankosova.tv.
“Kujtimi për dëshmorët na mban të freskët dhe na bën të paluhatur në rrugën e duhur për të ecur përpara. 5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë, Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, e cila na rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Prandaj, lufta e lavdishme çlirimtare ka nevojë të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe rrjedhjet e saj, edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme”, shtoi ajo.
Në fund, deputetja Selimi pati dy fjalë edhe për ata që tentojnë ta rishkruajnë historinë e UÇK-së në salla gjyqi, atje ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pesë vjet.
“Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe të Adem Jasharit, duke e trajtuar nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë është, ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët”.



Të tjera
Shtatë shenja që tregojnë se ju keni një inteligjencë mbi mesataren
Nesër do të nisë sezoni i ri në Formula 1, situata e ekipeve kryesore
T’i mësojmë fëmijët me punë shtëpie