Më 10 shkurt të këtij viti Policia e Kosovës arrestoi në Arllat të Drenasit një shtetas të Rusisë dhe dy shtetas të Bjellorusisë.
Ata dyshohen për kalim të paautorizuar të kufirit.
Për këtë rast ka reaguar edhe zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, gjatë një konference për media të mbajtur të mërkurën.
Veprën për të cilën treshja dyshohen zyrtarja ruse e konsideron të parëndësishme.
Ajo shtoi se Zyra ndërlidhëse ruse në Prishtinë ka siguruar qasje te shtetasi rus i arrestuar “dhe po i ofron atij të gjithë mbështetjen e nevojshme”.
Ndërkaq, shtoi se me kërkesë të kolegëve bjellorusë, “Zyra kërkoi leje për një takim personal me qytetarët e burgosur të atij vendi”.
Zakharova tha se Rusia, si shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, “nuk ka kontakte zyrtare me të”.
“Kështu, nuk ka mundësi për një mbrojtje efektive të interesave dhe garantimin e sigurisë së rusëve që mund të gjenden atje dhe të ekspozohen ndaj trajtimit armiqësor dhe/ose të paligjshëm”, u shpreh ajo.
Tutje, ajo u bëri thirrje shtetasve rusë që të mos vizitojnë Kosovën për faktin se Qeveria e Kosovës, në vitin 2022, “shtrëngoi regjimin e ‘vizave’ për bashkatdhetarët tanë duke anuluar të drejtën e hyrjes” në Kosovë “për mbajtësit e vizave të shumëfishta Schengen. E njëjta gjë vlen edhe për mbajtësit e lejeve të qëndrimit në Zonën Schengen”.
“Duke pasur parasysh rreziqet e larta, ne edhe një herë rekomandojmë me këmbëngulje që qytetarët e Rusisë të përmbahen nga vizita në Kosovë dhe të zgjedhin rrugë alternative gjatë planifikimit të udhëtimeve në Rajonin e Ballkanit”, u shpreh zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova.



Të tjera
Si ndikon emri në profesionin tuaj
Këto perime dhe fruta nuk duhet t’i mbani bashkë
Keni probleme me gjumë? Këto janë ushqimet që po ju mbajnë zgjuar natën