Në Itali do të mbahet një manifestim përkujtimor për sakrificën e Jasharëve

Në Itali do të mbahet një manifestim përkujtimor për sakrificën e Jasharëve

Komuniteti shqiptar në Itali, respektivisht Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) dhe Shoqata Adriatiku, do të mblidhet më 8 mars 2026 në Campi Bisenzio, pranë Firences, për manifestimin përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë”, kushtuar sakrificës sublime të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës. Radio Televizioni i Kosovës është sponsor medial i këtij manifestimi.

Organizatorët njoftojnë se përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike, fjalëve përkujtimore dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve, aktivistëve të mërgatës dhe pjesëtarëve të Familjes Jashari nga Kosova, ky manifestim do të rikthejë në ndërgjegjen kolektive sakrificën që i dha kuptim rrugëtimit tonë drejt lirisë.

“Mysafir special do të jetë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ekspozita fotografike “Prekazi  dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” nga Sefer Aliçkaj do të sjellë një rrëfim të fuqishëm vizual që prek thellë ndërgjegjen dhe emocionin. “Kushtrimi i Lirisë” është një dëshmi se, edhe larg vendlindjes, kujtesa mbetet e gjallë dhe identiteti ruhet përmes bashkimit. Është një mesazh për brezat e rinj se sakrifica nuk harrohet dhe se rrënjët tona janë burim force dhe dinjiteti”, thuhet në njoftim.