DnV kërkon përmbylljen pa vonesë të emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së

DnV kërkon përmbylljen pa vonesë të emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së

Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se ka ndjekur nga afër hapat institucionalë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, përfshirë edhe procedurën për përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas legjislacionit zgjedhor, pas certifikimit të rezultateve Presidentja e vendit u kërkon subjekteve parlamentare nominimet për anëtarët e KQZ-së. Këto të fundit kanë një afat të caktuar për dorëzimin e propozimeve, pas së cilës Presidentja bën emërimin e tyre.

DnV thekson se në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që mund të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur afati ligjor i 11 marsit për këtë procedurë po afrohet, përmbyllja e emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme.

Sipas organizatës, kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë në rast të zgjedhjeve, siç ishte paraparë me ligjin e mëparshëm.

Për këtë arsye, Demokracia në Veprim u bën thirrje Presidentes së vendit dhe subjekteve parlamentare që të ndërmarrin dhe të përmbyllin pa vonesë hapat e nevojshëm për nominimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas DnV-së, çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij.