Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës”, transmeton KosovaPost.
Prokuroria ka njoftuar se në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.
Më herët edhe Zyra e Presidentes së Kosovës nëpërmjet një reagimi publik e ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje “për pushkatim” ndaj Presidentes Osmani.
“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike. Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime”, tha Zyra e Presidentes Osmani.
Sipas Presidencës, thirrjet për “pushkatim” nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim.
“Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike”, vijon reagimi i Presidencës.
Presidentja Osmani u bë së fundi objekt kritikash të shumta nga një pjesë e qytetarëve për shkak të vendimit që mori për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, një ditë pasi u bë e ditur se ajo nuk është e propozuar e asnjë partie për t’u emëruar edhe për një mandat si presidente e vendit.



Të tjera
Sveçla takon zyrtarin e Komisionit Evropian në Forumin e Salzburgut, diskutohet për forcimin e sigurisë dhe lu*ftën kundër kr*imit
Shqipëri, opozita vazhdon protestën “Foltore”
Pl@goset një person në Skenderaj, policia jep detaje