“Krijimi i krizave institucionale rrezikon shtetësinë e Kosovës” – Ekspertët paralajmërojnë

Ish-deputeti Vesel Makolli ka reaguar ndaj situatës politike në vend, duke paralajmëruar se krijimi i krizave institucionale në një moment të tensionuar ndërkombëtar mund të ketë pasoja serioze për Kosovën.

Makolli theksoi se në kohën kur në Evropë dhe në Lindjen e Mesme po zhvillohen dy luftëra të mëdha, të cilat rrezikojnë përhapjen e një konflikti më të gjerë global, krijimi i krizave politike në Kosovë është i papërgjegjshëm.

“Në kohën kur në Evropë dhe në Lindjen e Mesme po zhvillohen dy luftëra që rrezikojnë të përshkallëzohen në përmasa të një lufte botërore dhe që do të kishin impakt të menjëhershëm në rajonin fragjil të Ballkanit, krijimi i krizave politike dhe lënia e vendit pa institucione legjitime është një nonsens që rrezikon shtetësinë e Kosovës”, deklaroi ai.

Image

Vesel Makolli

Sipas Makollit, kryeministri Albin Kurti, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, në të cilat fitoi 51 për qind të votave, nuk ka ndërmarrë hapa për të krijuar një qeveri stabile përmes bashkëqeverisjes.

Sipas tij, kjo krizë institucionale është në interes të Serbisë dhe Rusisë.

“Kjo krizë institucionale është e mirëseardhur për armikun tonë shekullor Serbinë, e cila me të gjitha mjetet po lufton pavarësinë e Kosovës, si dhe për aleatin e saj Rusinë, e cila çdo krizë në këtë rajon tenton ta shfrytëzojë për shtrirjen e interesave të saj gjeopolitike në Ballkan”, tha ai.

Makolli i drejtoi edhe një pyetje kryeministrit Kurti.

“Quo vadis, kryeministër?”, tha ai, duke shtuar se shteti duhet të vendoset mbi çdo interes tjetër.

Ai vlerësoi se për të dalë nga kriza, duhet kompromis politik dhe zgjedhja e presidentit nga opozita.

“Dy nga tri pozitat kyçe të hierarkisë shtetërore udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, prandaj është demokratike dhe e shëndoshë që pozita të bëjë lëshime dhe presidenti të zgjidhet nga opozita, përkatësisht nga ajo parti me të cilën do të arrihej marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Makolli.

Në fund, ai bëri thirrje që interesat shtetërore të vendosen mbi ato partiake.