Mashtrim me sigurime në Austri në vlerë 3.8 milionë euro, dënohen dy shqiptarë nga Kosova

Dy shtetas kosovarë janë shpallur fajtorë dhe dënuar për mashtrim ndaj sistemit të sigurimeve shoqërore në Austri, në vlerë prej 3.8 milionë eurosh.

Seanca gjyqësore u mbajt të martën në Linz, ndaj tre kontraktorëve të ndërtimit nga Kosova.

I akuzuari kryesor është dënuar me tre vjet e tre muaj burg dhe duhet të paguajë shtetit 500 mijë euro.

Të dy duhet gjithashtu t’i paguajnë Fondit Austriak të Sigurimeve Shëndetësore (ÖGK), pala kryesore e dëmtuar, shumën totale prej mbi 3.8 milionë eurosh.

E akuzuara e tretë, një grua 37-vjeçare, u lirua nga akuzat për mungesë provash.

Punëdhënësit përdorën dokumente të falsifikuara për të mashtruar sistemin, duke shmangur kontributet që duhej të paguanin.

Hetimi filloi pas inspektimeve në kantieret e ndërtimit në Steiermark, ku u zbuluan parregullsitë. Autoritetet u vunë në dijeni të mashtrimit nga disa punëtorë që paraqitën dokumente të falsifikuara, raporton ORF.at.