Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën që kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përdorur ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë.
Sipas një reagimi publik të AGK-së, Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka përdorur termin “mercenarë medialë”, duke akuzuar disa media për shpifje dhe përfitime financiare nga sponsorizues të ndryshëm.
“Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për ‘mercenarë medialë’, duke thënë se ‘shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm’”, thuhet në reagim.
AGK vlerëson se deklarata të tilla përbëjnë sulm ndaj medias dhe lirisë së shprehjes në vend.
“Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë. Një gjuhë e tillë me kualifikime si ‘mercenarë’ është e papërgjegjshme, e papranueshme dhe shumë e rrezikshme”, thekson AGK.
Sipas këtij asociacioni, deklarata të tilla mund të ndikojnë edhe në sigurinë fizike të gazetarëve.
“Një gjuhë e tillë mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve”, thuhet më tej në reagim.
AGK gjithashtu i ka bërë thirrje Abdixhikut që, nëse ka fakte për pretendimet e tij, t’i paraqesë ato në institucionet përgjegjëse.
“AGK-ja e fton zotin Abdixhiku të heqë dorë nga këto spekulime dhe, nëse ka fakte, t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse”, thuhet në reagim.
Po ashtu, asociacioni i ka bërë thirrje kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie në Kuvend që të kontribuojnë për një ambient të lirë dhe të sigurt medial në Kosovë.



Të tjera
Maska po ju acaron lëkurën, mbroni kështu fytyrën
Policia dhuron donacion për shoqatën Down Syndrome Kosova Kosova News Kosova
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, Presidenca dorëzon komentet në Kushtetuese