Arr*estohet Gjesti, dyshohet për armëmbajtje pa leje

Prokuroria kërkon paraburgim për Gjestin, dyshohet për tri vepra penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai u ndalua të mërkurën dhe dyshohet për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Lajmin për kërkesën për paraburgim e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Këngëtari u arrestua të mërkurën dhe u dërgua në mbajtje, kishte njoftuar policia.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Gjykata Themelore, seanca dëgjimore ku do të vendoset për këtë kërkesë është caktuar të mbahet nesër në orën 09:30, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërkaq, Prokuroria njoftoi se ai u ndalua për 48 orë dhe dyshohet për tri vepra penale.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Kanosja’’ sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë’’ në bazë të nenit 321 të KPRK-së.