Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një leje 30-ditore që lejon blerjen e naftës dhe produkteve të naftës ruse që aktualisht ndodhen në det.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e quajti këtë veprim një hap drejt stabilizimit të tregjeve globale të energjisë, të cilat janë prekur nga tensionet dhe lufta kundër Iranit.
Në një deklaratë të publikuar disa orë pasi çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në gati katër vjet, Bessent tha se ky veprim nuk pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare për qeverinë ruse.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Departamenti i Energjisë i SHBA-së deklaroi se vendi do të lirojë 172 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike e Naftës, në përpjekje për të frenuar rritjen e madhe të çmimeve për shkak të konfliktit në Iran.
Ky veprim është pjesë e një angazhimi më të gjerë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe 32 vendeve partnere për të liruar gjithsej 400 milionë fuçi naftë në treg.
Leja e cila mundëson dorëzimin dhe shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës ruse të ngarkuara në anije që nga 12 marsi, do të mbetet në fuqi deri në mesnatë sipas kohës së Uashingtonit më 11 prill, sipas dokumentit të publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit.
Më herët, më 5 mars, Thesari amerikan kishte lëshuar edhe një përjashtim të veçantë 30-ditor për Indinë, duke i lejuar Nju Delhit të blejë naftë ruse që ndodhej në det.
Ndërkohë, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, si dhe reagimi i Teheranit, kanë përshkallëzuar tensionet në rajon dhe kanë paralizuar pjesërisht transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin global me naftë dhe gaz. Kjo situatë ka ndërprerë rrjedhat energjetike nga Lindja e Mesme dhe ka shtyrë çmimet e energjisë në rritje.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka njoftuar gjithashtu një bllokadë të dërgesave të naftës nga Gjiri Persik, duke deklaruar se masa do të mbetet në fuqi derisa të ndalen sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.



Të tjera
Reali e nxjerr në shitje Camavingan, ia cakton edhe çmimin
Antoine Semenyo zgjidhet lojtari i muajit në Premierligë
Përdorimi i telefonit për pesë orë në ditë lidhet me obezitet