Hoti sqaron bartjen e zyrave për vlerat e luftës dhe rastin e fëmijës 5-vje

Hoti sqaron bartjen e zyrave për vlerat e luftës dhe rastin e fëmijës 5-vje

Në konferencën e sotme për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka sqaruar disa çështje kryesore që prekin veprimtarinë e ministrisë.

Së pari, ministri ka folur për bartjen e zyrave për kategoritë e dala nga lufta:

“Bartja e kësaj zyre, e cila është themeluar me vendim të qeverisë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka qenë e domosdoshme me qëllim të koordinimit të drejtpërdrejtë dhe më efikas të politikave që lidhen me këtë kategori”, tha ai.

Hoti ka njoftuar gjithashtu krijimin e Departamentit për Vlerat e Luftës Çlirimtare brenda ministrisë, që do të rregullohet sipas rregullores së brendshme të institucionit dhe do të përkujdeset për kategoritë që dalin nga lufta.

Së dyti, ministri ka komentuar rastin tragjik të një fëmije pesëvjeçar që përfundoi në QKUK para dy ditësh, duke theksuar përgjegjësitë institucionale:

“Përgjegjësisë s’mund t’i ikim, por duhet ta dimë se të gjitha rastet sociale në Kosovë janë në kompetencë të komunave, përkatësisht të Qendrave për Punë Sociale, dhe jo të ministrisë që e udhëheq unë”, tha ai

Hoti ka shtuar se ministria ka ndërhyrë përmes njësisë së inspektimit, e cila tashmë ka vizituar QPS në Lipjan për të hetuar rastin dhe për të rekomanduar veprimet e nevojshme:“Ministria ka të drejtë të revokojë licencat për individë nëse identifikohen shkelje gjatë hetimeve”.

Ky qëndrim i ministrit nënvizon rolin e ministrisë në hartimin e politikave sociale dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre, ndërsa përgjegjësia operative për rastet konkrete mbetet tek institucionet komunale.