Bajrami, një festë zyrtare që festohet në vendet me shumicë myslimane

Bajrami, një festë zyrtare që festohet në vendet me shumicë myslimane

Besimtarët myslimanë sot përmbyllin ciklin 30-ditor të muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili kurorëzohet me festën e Fitër Bajramit në të gjithë botën.

Mesazhet e komunitetit mysliman gjatë këtij muaji përçojnë paqen, solidaritetin dhe mirësinë mes njerëzve.

Për myslimanët në mbarë botën, muaji i shenjtë i Ramazanit përfundoi sot, duke plotësuar 30 ditët e agjërimit. Fitër Bajrami, i njohur edhe si “festa e agjërimit”, festohet në fund të muajit të Ramazanit. Dita e parë e Bajramit do të festohet të mërkurën, më 20 mars.

Në mbarë botën jetojnë rreth 1.9 miliardë myslimanë, që përbëjnë afërsisht 25 për qind të popullsisë globale. Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë, me rreth 240 milionë besimtarë, e ndjekur nga Pakistani me rreth 225 milionë, India 211 milionë, Bangladeshi 155 milionë dhe Nigeria 111 milionë.

Tradicionalisht, Bajrami festohet për tre ditë si festë zyrtare në vendet me shumicë myslimane, megjithatë numri i ditëve të pushimeve ndryshon nga vendi në vend. Myslimanët fillojnë festimet e Bajramit duke marrë pjesë në një shërbim lutjesh pak pas agimit. Dita vazhdon me vizita tek të afërmit dhe fqinjët, pranimin e ëmbëlsirave dhe urimet për Bajramin, ndërsa njerëzit lëvizin nga shtëpia në shtëpi.

Urimi më popullor është “Eid Mubarak”, që nënkupton “Bajram të bekuar”, ose “Eid Sa’id” – “Gëzuar Bajramin”. Urimet ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendit dhe gjuhës.