Prej kohësh, hedhja e mbeturinave të amvisërisë dhe atyre inerte është shndërruar në një dukuri të përditshme në “Fushën e Pajtimit” në kryeqytet. Banorët thonë se po përballen vazhdimisht me sasi të mëdha mbeturinash të hedhura jashtë kontejnerëve të cilat thonë se po rrezikojnë shëndetin e tyre.
Pavarësisht intervenimeve të herëpashershme, zona sërish është shndërruar në një deponi ilegale, ku grumbullimi dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave po bëhet gjithnjë e më e theksuar. Banorët fajësojnë qytetarë të tjerë që hedhin mbeturina në këtë hapësirë, ashtu edhe institucionet përkatëse për mungesë menaxhimi dhe mbikëqyrjeje.
“Faji është i komunës dhe i kompanisë përgjegjëse. Duhet mbikëqyrje në terren. Është e rrezikshme”, tha një banor i kësaj lagje për RTK-në.
“Ne jemi të kujdesshëm, por banorë të tjerë vijnë natën dhe hedhin mbeturina me kamionë. Është shumë keq. Mesazhi im është që këto të largohen, sepse këtu luajnë fëmijët”, u shpreh një tjetër banor.
E nga kompania ‘Pastrimi’ thanë për RTK-në se operojnë rregullisht në zonën e ‘Fushës së Pajtimit’ dhe do të vazhdojnë me mirëmbajtje të kësaj zone. Megjithatë, theksuan se kjo çështje kërkon bashkëpunim institucional dhe qytetar.
Po ashtu, nga kjo kompani kërkuan edhe nga Inspektorati i Kryeqytetit dhe Policia e Kosovës të rrisin kontrollin dhe të ndëshkojnë hedhjen e paligjshme të mbeturinave jashtë vendeve të parapara.
Sipas tyre, pastrimi është përgjegjësi e përbashkët pasi vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe zbatimit të ligjit mund të sigurohet një mjedis i pastër dhe i dinjitetshëm për të gjithë.



Të tjera
Mbyllet pa fitues ndeshja mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re
Drita fiton derbin e Anamoravës, shkëputet në krye
Pse nuk duhet të hani të vetmuar?