Kelmendi: Historia jonë duhet të motivojë të rinjtë në Kosovë

Historia jonë duhet të motivojë të rinjtë në Kosovë

Kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi, ka bërë thirrje që historia e suksesit të xhudistëve kosovarë të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e reja.

Kelmendi ka folur të martën në Pejë, ku RTK tashmë e ka hapur zyrën rajonale.

Ajo e ka theksuar rëndësinë e sportit dhe të idhujve për të rinjtë. “Historia jonë ishte dashur që t’i motivojë të rinjtë në Kosovë, që të përcillet sa më shumë sporti dhe të kihen idole njerëzit që kanë bërë për këtë vend. Sportistët janë ata që duhet frymëzuar nga ta. Ndoshta Distria Krasniqi sot është shembulli më i mirë i të rinjve në Kosovë”, është shprehur Kelmendi.

Duke kujtuar fillimet e saj në xhudo, ajo ka treguar për vështirësitë e mëdha që ka kaluar rrugëtimi drejt suksesit. “Rrugëtimi ynë në xhudo ka nisur nga zero. Nga viti 2000 e deri në vitin 2013 çdo gjë ka qenë e financuar nga Driton Kuka dhe familja Kuka. Ka qenë një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë, mirëpo kemi qenë jashtëzakonisht me fat që sakrifica, mundi dhe puna janë shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme dhe unë si garuese jam bërë kampione evropiane, botërore e olimpike. Kapaku i të gjithave ka qenë kur Toni është zgjedhur trajneri më i mirë në Evropë dhe në botë”, ka deklaruar ajo.

Kelmendi e ka përshëndetur edhe hapjen e zyrës rajonale të RTK-së në Pejë, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm për qytetin. “Është kënaqësi që tani RTK e ka zyrën rajonale edhe këtu në qytetin e Pejës, qytet me traditë në art, kulturë e sport. Për neve si qytet ky është një nder i madh”, ka thënë ajo.