Haxhiu: Me peshë Kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve, do ta nderoj detyrën si Kryetare e Kuvendit

Vendimi i Gjykatës mbi dekretin e Presidentës duhet të respektohet

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një prononcim për media, duke folur për çështjen e zgjedhjes së Presidentit-es, tha se është shumë e rëndësishme që të pritet njoftimi ose aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ajo tha se tani ka një njoftim nga Gjykata, e më pas edhe një aktgjykim, prandaj është thelbësore që procesi të respektohet dhe të pritet rezultati.

Ajo ka kujtuar se afati i caktuar nga Gjykata me masën e përkohshme është 31 marsi dhe shprehu dëshirën që sa më parë të ketë një vendim në raport me dekretin e Presidentes Osmani. “Kur ky vendim të dalë, është shumë e rëndësishme ta shohim dhe ta kuptojmë atë, dhe pastaj të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë tona”, tha Haxhiu në një prononcim për media, pas konferencës Java e Gruas.

Kryetarja  Haxhiu theksoi se do të bëjë gjithçka që është në dorën e saj dhe në përgjegjësitë e Kuvendit, për të siguruar që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme të gjendet një rrugë e përbashkët, të arrihet një kompromis dhe të ketë konsensus lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Nga ajo që kam parë, edhe qendërimet e Vetëvendosjes, edhe të palëve të tjera gjatë kësaj kohe me ftesat që kryeministri Kurti i ka bërë kryetarëve të partive opozitare, janë shprehje e interesit dhe e vullnetit. Është shumë e rëndësishme që ky vullnet të ekzistojë nga të gjitha palët. Kemi shumë punë për të bërë, nuk është koha për lojëra politike apo inate mes nesh. Është thelbësore të kemi një rrugë të qartë përpara”, tha kryetarja Haxhiu.

Haxhiu tha se do të ishte shumë mirë që deri më 4 prill “të kemi një president të zgjedhur me mandat të plotë dhe jo vetëm një ushtrues të detyrës së presidentit”.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur, dy javë më parë, një masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja në vendimin që mori bëri të ditur se ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi./rtk