Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se deri më sot, mbi 37 për qind e zyrtarëve publikë kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025. Ndërkohë, mbi 42 për qind e tyre nuk e kanë nisur ende këtë proces, edhe pse afati ligjor për përfundimin e deklarimit është 31 marsi.
Më 31 mars përfundon afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë. Deri më tani, rreth 4 mijë zyrtarë publikë e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025.
Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se ky proces është duke vijuar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore.
“Deri më tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë, apo 37.82%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34, apo 19.65%, e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, respektivisht 4 mijë e 404 apo 42.54%, ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, ka thënë Buleshkaj.
Ai ka theksuar se mosdeklarimi brenda afatit, vonesat apo deklarimet e pasakta përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me gjoba, kallëzim penal, madje edhe me dënim me burgim deri në pesë vjet. Po ashtu, ai shtoi se pasuria e padeklaruar mund t’i nënshtrohet konfiskimit.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë ngritur kallëzime penale ndaj 44 personave për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi Hajdari, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, tha se për disa raste hetimet janë pushuar, ndërsa për katër persona janë ngritur aktakuza.
Sipas Agjencisë, numri i përgjithshëm i zyrtarëve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10 mijë e 340, përfshirë mjekë dhe profesorë. Afati për deklarimin e pasurisë për vitin 2025 përfundon më 31 mars, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta ndaj atyre që nuk e përmbushin këtë detyrim ligjor.



Të tjera
Nëse nuk e mposhtim Rumaninë, Kosovën dhe Sllovakinë nuk e meritojmë Botërorin
Po na heshtin me vetëdije
Arsyet pse duhet të pini lëng të shegës çdo ditë